Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin rreth konstituimit të Kuvendit.
Ai ka veçuar disa nga të gjeturat kryesore të këtij vendimi, përfshirë praktikën e mëhershme të votimit dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes partive politike.
“Vlerësojmë se dy të gjeturat kryesore janë praktika e mëhershme e votimit, ajo është e parapamë, dhe po ashtu, e gjetur e rëndësishme që theksohet, është domosdoshmëria e bashkëpunimit në këtë rast, pra në rast të mungesës së shumicës”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai shtoi se një element tjetër i rëndësishëm i vendimit është përcaktimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe tha se ky vendim sjell një risi: mundësinë për votim edhe pa marrëveshje apo kompromis paraprak.
Sipas Haradinajt, aktualisht janë krijuar kushtet që të rikthehet praktika e votimit me votë të hapur, si dhe për të nisur konsultimet mes partive për dakordimin rreth kandidatit për kryetar të Kuvendit./