Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimeve të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e masave ndaj mallrave serbe dhe për rritjen e pensioneve në një shumë prej 20 euro.
Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky është koncesioni i radhës nga Kurti, i cili sipas tij, “popullit po i shet propagandë e Serbisë po i bën koncesione”.
“Dje, në mënyrë klandestine Kryeministri Kurti hoqi masat ndaj mallrave të Serbisë. Kjo ishte përsëritje e vendimit për heqjen e tarifës 100% që pata vendosur më 2018.
Ky është koncesioni i radhës i Albin Kurtit, i cili popullit i shet propagandë e Serbisë i bën koncesione. Ai bën koncesione pasi paraprakisht i bën dëme të rënda Kosovës e pas koncesionit dëmi i mbetet Kosovës. Ai bëri koncesione të vonshme edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës, por Kosova mori vetëm dëmin por jo anëtarësimin.” – ka shkruar ai.
Tutje, Haradinaj ka përmendur pensionet, duke thënë se ky koncesion u tentua të mbulohet me 20 euro lëmoshë për pensionet.
“Koncesionin e djeshëm tentoi ta mbulojë me 20 euro lëmoshë për pensionistët, por si shoqëri e kemi obligim ta ballafaqojmë me propagandën e tij dhe dëmet që po i bën Kosovës. E thënë edhe më herët, Kurti nuk i shërben Kosovës”.
Vlen të theksohet se këto vendime të Kurtit janë kritikuar shumë në opinionin publik.