Aftësia e Hamasit për t’u kthyer në zonat nga të cilat më parë ishte detyruar të tërhiqej kërcënon ‘luftë të përhershme’, raporton The Guardian.
Mund të ketë më shumë militantë të Hamasit në veri të Gazës, që supozohet se është spastruar nga forcat izraelite muaj më parë, sesa në Rafah, qyteti jugor në territorin e përshkruar nga zyrtarët izraelitë si “kalaja e fundit” e organizatës ekstremiste islamike, besojnë analistët.
Më shumë se 1 milion njerëz janë larguar nga Rafah, qyteti më jugor i Gazës, pas udhëzimeve nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), vala më e madhe e zhvendosjes që nga muajt e parë të konfliktit. IDF ka thënë vazhdimisht se katër brigada të Hamasit – forca më e madhe e mbetur e organizatës militante islamike – janë të vendosura në Rafah.
Zyrtarët izraelitë, duke përfshirë kryeministrin, Benjamin Netanyahu, kanë pretenduar prej kohësh se ofensiva e vazhdueshme në Rafah, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga shumë aleatë, do të arrijë qëllimet e deklaruara të luftës për ta shkatërruar aftësinë e Hamasit për ta kërcënuar Izraelin dhe për t’ë’i liruar pengjet.