Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se rastet me grip sezonal në fillimin e vitit 2024 kanë shënuar rritje dhe e kanë kaluar pragun epidemik, duke bërë thirrje që qytetarët të kenë vigjilencë të shtuar.
MSH-ja ka thënë se në rast simptomash të gripit sezonal, duhet menjëherë ta vizitoni mjekun familjar.
“Sipas të dhënave të fundit nga IKSHPK dhe nga institucionet shëndetësore, intensiteti i gripit sezonal sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të vitit 2024, paraqitet me aktivitet më të lartë të qarkullimit dhe krahasuar me javën paraprake ka shënuar rritje dhe e kalon pragun epidemik. Si rrjedhojë apelojmë për vigjilencë të shtuar! Në rast simptomash të gripit konsultoni mjekun familjar për këshilla dhe trajtim të duhur”, thuhet në njoftim.
Sipas MSH-së, grupet si personeli shëndetësor, gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar, të kenë kujdes më të shtuar gjatë sezonit të gripit dhe të vaksinohen.
“Vaksinimi – mbetet mbrojtja më efikase. Qysh në fillim të tetorit 2023 Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85,000 doza të vaksinës sezonale. Vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër gripit. Vaksinoheni një herë për të qenë të mbrojtur gjatë tërë sezonit kur gripi është më i shprehur”, thuhet tutje në njoftim.