Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbim të pronës komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc, për të cilat ka raportuar tash e sa javë KOHA.
Sipas njoftimit nga IKD-ja, vendimi s’do të ekzekutohet deri kur Gjykata të vendosë për rastin.
“Gjykata gjeti se me propozimin për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit, IKD ka ofruar argumente të besueshme se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ashtu që ekzekutimi i këtij vendimi do të sjellte dëm vështirë të riparueshëm. Tutje, Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe as nuk i sjell dëm të madh palës kundërshtare apo personit të interesuar. Përkundrazi, Gjykata gjeti se pikërisht shtyrja e ekzekutimit të vendimit paraqet interes publik”, thuhet në njoftimin e IKD-së
Javë më parë KOHA ka raportuar se para tre vjetësh kryetari i Komunës, Përparim Rama pati klientë pronarët e mbi 8 hektarëve tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje. Projekti u ndalua sa Lumir Abdixhiku ishte ministër. Por në fund të dhjetorit, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka lëshuar ligjshmërinë, ndërsa më vonë e ka tërhequr.
Pas raportimit të KOHËS, IKD-ja parashtroi padi në Gjykatë, ndërsa Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të enjten për anulim të vendimit.