Gjykata e Lartë në Beograd ka thënë se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, respekton masat e autoriteteve shtetërore, të nxjerra pas konfliktit në Banjskë dhe se i raporton rregullisht organeve kompetente. Ata kanë thënë për REL se ai lajmërohet vazhdimisht në stacionin policor.
Masat e vendosura ndaj Radoiçiqit përfshijnë konfiskimin e pasaportës së tij, ndalimin e daljes nga Serbia dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë e Beogradit dy herë në muaj.
Sipas Gjykatës, masat vazhdohen çdo tre muaj dhe hera e fundit që kjo është bërë në fillim të korrikut.
Radoiçiq mori publikisht përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjska më 24 shtator 2023 dhe më pas dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.
Autoritetet në Serbi refuzojnë të ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët kosovarë akuzojnë Serbinë se i kanë ofruar mbrojtje
Policia deri në publikimin e tekstit nuk është përgjigjur në pyetjet e RSE-së, e as Goran Petronijeviq, avokati i Radoiçiqit nuk është përgjigjur në telefonata.
Kujtojmë se sot bëhet një vit nga sulmi terrorist mes një grupi të serbëve vendas dhe Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku mbetën të vrarë katër persona.
Përgjegjësinë për organizimin dhe logjistikën e konfliktit mes rreth 30 serbëve dhe policisë së Kosovës e kishte marrë Milan Radoiçiq, nënkryetar i Partisë së Listës Serbe në atë kohë, i cili më vonë dha dorëheqjen nga ajo pozitë.