Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dhënë një intervistë për mediumin turk në gjuhën angleze “TRT World”, ku ka folur për shumë tema të dialogut, përfshirë çështjen e Urës së Ibrit. Në këtë intervistë, Gërvalla ka thënë se ura nuk po hapet tani, duke shtuar se vetëm po “përgatitet situata”.
Gërvalla vlerësoi se nuk ka asgjë të keqe që të hapet ura dhe se ura është një nga simbolet e fundit në Kosovë të Sllobodan Millosheviqit, ish-president autoritar i Jugosllavisë dhe ish i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, që gjerësisht njihet si “Kasapi i Ballkanit”.
“Po, situata kohë pas kohe është e tensionuar, por, siç e dini, në Kosovë, në Turqi, në Sloveni, urat janë aty për të lidhur jo vetëm pjesët e qytetit, por edhe njerëzit. Pra s’ka asgjë të keqe dhe provokative në hapjen e një ure. Është koha për të hapur urën dhe ne do ta bëjmë atë në një mënyrë që qytetarët e të dy pjesëve të qytetit do të jenë të lumtur që po e shohin hapjen e urës. Sepse në afërsi të asaj ure është një nga simbolet e fundit të Millosheviqit në vendin tonë” – tha Gërvalla.https://www.youtube.com/embed/RWA9jUCJHGA?si=n1ngLqRyj4KTm4tx
Në intervistë, moderatorja e përballi Gërvallën me kritikat e Perëndimorëve, duke ia shtruar një pyetje interesante.
“Dua të ju pyes, pse atëherë të hapet kjo urë tani? Cila është rëndësia për Prishtinën për të hapur tani, duke pasur në mendje të gjitha këto paralajmërime nga partnerët ndërkombëtar?” – ishte pyetja e moderatores.
Kryediplomatja kosovare tha se ura nuk po hapet tani dhe se vetëm për kryhen disa përgatitje “për të hapur në një moment kur është e përshtatshme”.
“Nuk po e hapim tani. Ne jemi duke u bërë gati për të hapur në një moment kur është e përshtatshme për qytetin, qytetarët dhe për vendin tonë. Pra derisa po përgatitemi, ne jemi duke i bërë të gjitha çështjet teknike që janë të nevojshme, sepse kjo urë nuk është përdorur për një kohë për automjete dhe ne jemi duke i bërë të gjithë hapat teknikë. Ne jemi duke u përgatitur në takimin me qytetarët në të dy pjesët e qytetit përmes kryetarëve dhe politikanë të tjerë. Pra ne jemi duke e përgatitur situatën që hapja e urës të jetë një ditë hareje për të gjithë” – shtoi Gërvalla.
Në këtë intervistë, Gërvalla u pyet edhe në lidhje me arsyen se pse mendon që tema e hapjes së Urës është bërë një nga temat më të rëndësishme të zyrtarëve perëndimor në Prishtinë. Gërvalla tha se nuk e di.
“Për të qenë tepër të sinqertë, nuk e di, sepse hapja e një ure është gjithmonë një gjë pozitive” – tha Gërvalla, transmeton Nacionale.
Në këtë intervistë, Gërvalla u pyet edhe për kritikat dhe shqetësimet që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte për trajtimin e serbëve në Kosovë. Gërvalla e ftoi Macronin
“Sa i përket shqetësimeve të presidentit Macron në lidhjem e minoritetin serb, unë vetëm mund ta ftojë atë dhe të gjithë të tjerët që mund të kenë disa shqetësime për të vizituar Kosovën dhe ne do të krijojmë shansin për të parë nga personi në person që kjo është pjesë nga propaganda e madhe që po përdoret nga Rusia dhe Serbia kundër aleatëve të Perëndimit dhe kundër atyre që po qëndrojnë me Ukrainën në këtë luftë” – tha Gërvalla, transmeton Nacionale.