Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange tha sot se u lirua nga burgu sepse u deklarua fajtor për gazetari, jo sepse sistemi ligjor funksionoi, raportoi Guardian.
Ai u tha parlamentarëve evropianë se pranimi i fajësisë për akuzat për spiunazh amerikan ishte i nevojshëm sepse përpjekjet ligjore dhe politike për të mbrojtur lirinë e tij nuk ishin të mjaftueshme, raporton Guardian.
“Në fund, zgjodha lirinë në vend të drejtësisë së pakapshme. Sot jam i lirë pas vitesh në burg sepse u deklarova fajtor për gazetarinë,” i tha Assange Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut të Asamblesë Parlamentare të PACE të Këshillit të Evropës në Strasburg, në fjalimin e tij të parë publik që nga lirimi në qershor.
Ai tha se shpreson se dëshmia e tij sot mund të shërbejë për të nxjerrë në pah dobësitë e masave mbrojtëse ekzistuese dhe për të ndihmuar ata, rastet e të cilëve janë më pak publike, por që janë po aq të cenueshëm.
Assange tha se liria e fjalës ishte në një “udhëkryq të errët”.
“Kam frikë se do të jetë tepër vonë nëse institucionet si Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës. Ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë për të siguruar që drita e lirisë të mos shuhet kurrë, që kërkimi i së vërtetës vazhdon dhe se zërat e shumë njerëzve nuk heshten nga interesat e disave”, tha ai.
Ai vuri në dukje se gazetarët nuk duhet të persekutohen për kryerjen e detyrës së tyre.
“Gazetaria nuk është krim”, theksoi Assange.