Përparimi i Shqipërisë drejt BE-së është me “shpejtësi drite” duke e lënë pas Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit.
Me vlerësima të tilla, mediumi nga Beogradi TV Insajder i ka kushtuar një kronikë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, përcjell Nacionale.
“Sot në Bruksel, Shqipëria hapi një tjetër kapitull, që domethënë një grup kapitujsh që kanë të bëjnë me politikën ekonomike e monetare, taksimin, bashkimin doganor. Është kapitulli i katërt që Shqipëria e hapi që prej tetorit, prej gjithsejt 27 kapitujve negociues”, shkruan mediumi serb.
“Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në të njëjtin vit si Serbia, më 2009, teksa Beogradi e fitoi statusin e vendit kandidat më 2012 dhe Tirana dy vite më vonë.”
Në emisionin “Svet i mi” (Bota dhe ne), korrespodenti serb nga Brukseli, Dushan Gajiq ka shpjeguar arsyet përse Shqipëria ka përparuar që prej tetorit të vitit të kaluar me “shpejtësi drite” në procesin e anëtarësimit në BE.
Në dekadën e parë, pas aplikimit më 2009, Shqipëria kishte mbetur prapa vendeve të tjera që aspironin për të hyrë në BE.
“Ajo çfarë e pengonte deri më tani Shqipërinë ishte që shtetet anëtare të BE-së e vunë në të njëjtën paketë me Maqedoninë e Veriut, dhe për shkak të problemeve që kishte ajo, fillimisht me Greqinë, e pastaj me Bullgarinë, nuk mund të bëhej hapja e negociatave”, ka shpjeguar Gajiq.
Sipas tij, vetëm vitin e kaluar vendet anëtare vendosën që nuk do të ishte e drejtë që Tirana të priste Sofian dhe Shkupin për zgjidhje mosmarrëveshjesh, ndaj ajo u trajtua veçmas.
“Kjo e bëri të mundur fillimin e negociatave me hapjen e një grupkapitulli në tetorin e kaluar.”
Kapitulli i parë që u hap kishte të bënte me çështje thelbësore për sa i përket sundimit të ligjit, dhe nga ajo kohë u hapën edhe katër kapituj të tjerë.
Sipas mediumit serb, Shqipëria zyrtarisht tani e ka kapërcyer Serbinë në rrugëtimin drejt BE-së, me hapjen e grupkapitullit të tretë, për të cilin Beogradi ka pritur qe tre vite e gjysmë.
Në projeksionet e bëra për anëtarësimet e reja, Mali i Zi e Shqipëria tashmë janë përmendur si vendet që do të hyjnë të parat në BE.
“Mbase ata (Mali i Zi dhe Shqipëria – v.j) e shfrytëzojnë dhe e kuptojnë më mirë momentin politik e gjeopolitik në të cilin është BE-ja dhe që ishin më të gatshëm për të përdorur dyert, të cilat sigurisht se për vende të reja janë hapur më shumë që prej luftës në Ukrainë”, ka theksuar Gajiq.
Serbia, ndërkohë, nuk ka hapur që prej tri vitesh ndonjë kapitull negocitash, kurse parafinancimi brenda Planit të Rritjes nuk është paguar ende.
Sipas korrespodentit serb, Beogradit i janë dhënë shumë mesazhe, dhe është e qartë se “Brukseli nuk e sheh Serbinë në projektimet për anëtarët e ardhshëm të BE-së.”
“Prania në paradën në Moskë sigurisht se mund të harrohet, por sidoqoftë kam frikë se nuk do të kalojë lehtë e shpejt”, ka thënë mes të tjerash Gajiq.