Punëtorët teknikë të disa shkollave në Prishtinë nga e hëna kanë hyrë në grevë.
Ata kanë paralajmëruar vazhdim të grevës nëse nuk merret vendim për rritje page, ndërsa kanë kërcënuar edhe me largim nga puna.
Në grevë që nga ora 8 e mëngjesit janë edhe gjashtë punëtorët teknikë të Shkollës së Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, të cilët kërkojnë pagë rreth 400 eurove.
Feim Bislimi, punëtor teknik i Shkollës së Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, i kontraktuar nga një kompani private, ka thënë se paguhet 250 euro, ndërsa sipas tij, për të njëjtën punë, kolegët e tij në sektorin publik paguhen rreth 400 euro.
“Pakënaqësia jonë është që pagat janë të vogla, ne i kemi 250 euro, kurse këta të tjerët i kanë 400 euro edhe pse kanë thënë se do të këtë lëvizje nuk ka asgjë. Kemi pasur takime edhe me nënkryetarin e Komunës, kanë thënë që 10 për qind do të këtë rritje, mirëpo edhe aty nuk ka kurrgjë. Jemi të pakënaqur që edhe nuk po mund t’ia dalim me këtë pagë dhe kanë vendosur që të hynë në grevë. Nëse nuk ndërmerret kurrgjë punëtorët janë deklaruar që do ta lënë krejt punën dhe nuk do ta vazhdojnë”, ka thënë Bislimi për EO.
Ai është shprehur se “s’po kërkojnë as më pak as më shumë pos që të jenë të barabartë”.