Autoritetet gjyqësore franceze kanë ngritur aktakuza preliminare kundër themeluesit të Telegram-it, Pavel Durov për një sërë krimesh, duke përfshirë bashkëpunimin në shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve, droga ilegale dhe hakerim të softuerit në aplikacionin e mesazheve – një goditje e madhe për një sipërmarrës që u bë hero për liridashësit e internetit përgjatë dekadës së kaluar.
Autoritetet akuzuan gjithashtu Durovin për refuzimin e bashkëpunimit me hetimet për aktivitet të paligjshëm në Telegram. Prokurorja e Parisit Laure Beccuau përmendi “një mungesë pothuajse të plotë të përgjigjes nga Telegram-i ndaj kërkesave gjyqësore”, raporton WSJ, transmeton Klankosova.
“Telegraph” ndërkaq thotë se zyrtarët gjyqësorë të Francës pretenduan se 39-vjeçari ishte bashkëpunëtor në një numër transaksionesh të paligjshme.
Është pretenduar se platforma e tij po përdoret për materiale abuzimi seksual të fëmijëve dhe trafik droge, akuza që ai i mohon. Telegram-i akuzohet gjithashtu se ka refuzuar të ndajë informacione ose dokumente me hetuesit kur kërkohet me ligj.
Disa nga akuzat përballen me dënime me 10 vjet burg dhe 500,000 euro gjobë.
Durov, një qytetar francez i cili gjithmonë e ka paraqitur veten si një kampion i fjalës së lirë, gjithmonë ka mohuar çdo keqbërje.
Ai u arrestua të shtunën e kaluar në aeroportin Le Bourget jashtë Parisit. Në atë kohë, arrestimi i tij shkaktoi protesta në mesin e përdoruesve të Telegram.
Të mërkurën Emmanuel Macron, presidenti francez, shkroi në X (ish-Twitter) se kishte parë informacione të rreme pas arrestimit të Durovit.