Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një tubim në Athinë të Greqisë. Rama atje ka mbledhur diasporën shqipatare në këtë shtet. Ai ka pasur disa mesazhe për migrantët shqiptarë tëksa nuk e la pa çuar edhe një mesazh për udhëheqësinë e vendit grek. Ndërkohë, ky tubim ëhtë komentuar edhe në Kosovë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij para diasporës shqiptare në Greqi kërkuar edhe falje për çdo gabim që mund të ketë bërë gjatë detyrës së tij në këto 10 vite qeverisje.
Por ai theksoi se në asnjë rast nuk ka tradhtuar asnjë shqiptar që i ka besuar detyrën e Kryeministrit.
Më tej, ai iu drejtua emigrantëve shqiptarë duke i thënë se nuk janë më shërbëtorët e dikurshëm të viteve ’90, por tashmë janë zotër të barabartë në Greqi.
“Shqiptarët këtu janë zotë të barabartë, jo më shërbëtorët e tyre të dikurshëm” – ka thënë Rama.
Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh homologut të tij grek Kyriakos Mitsotakis, duke recituar poezinë e poetit shqiptar Naim Frashëri.
Përmes kësaj poezie, Kryeministri Rama bëri thirrje për të parë drejt të ardhmes dhe për të jetuar në paqe shqiptarët dhe grekët, si dy popuj fqinjë.
“Përpara se sa të largohem dhe në pamundësi për ta takuar, dëshiroj që edhe në emrin tuaj, t’i le një pusullë miku tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi për të udhëhequr Greqinë, kryeministrit Mitsotakis. Në vitin 1886 poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, shkruajti në greqisht vjershën e tij “Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve”:
“Duam me të gjithë fqinjët,
Sllavë dhe Grekë të jetojmë në harmoni,
Në vëllazërim, me rend dhe paqe, të jetojmë.
Le të mos bëhemi armiq e le të mos zihemi,
Mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar.
Eshtë koha e mirëqenies, është koha e lirisë”.
Shumë të fala, nga unë dhe shqiptarët e Greqisë.
Rroftë Shqipëria, zito i Elladha, rroftë Europa demokratike!
Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë dhe haptë një faqe të re vëllazërie, rendi e paqeje mes Shqipërisë dhe Greqisë.” – ka thënë Rama ndër të tjera.
Ky fjalim e tubim u komentua në Kosovë.
Analisti, Ilir Mirena, ka ironizuar duke thënë se ka menduar se diaspora është me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Une gjithe kam mendu qe krejt diaspora eshte me Albinin! Po se qysh i paska mashtru Edi Rama midis Athines gjithe kete mase te diaspores shqiptare, ide s’kam… Perndryshe, nje k’si tubimi n’Athine e xhelozon edhe Mitsotakis, e leje mo k’ta picimulat tane…” – ka shkruar Mirena në Facebook.
Ndërsa, profesori i filozofisë, Blerim Latifi, tubimin e Ramës me shqipatarët në Greqi e ka parë si një fundi i nënçmimit të shqiptarëve atje dhe fillimi i një epoke të miqësisë mes grekëve e shqipatarëve.
“Pas rënies së komunizmit shqiptarët që emigruan masivisht në Greqi kanë vuajtuar të gjitha format e diskriminimit atje, diçka që asnjëherë nuk ka ndodhur me pakicën greke në Shqipëri. Tubimi i sotëm në Athinë, ku shqiptarët krejtësisht të lirë valonin flamurin e tyre kombëtar, këndonin hymnin e flamurit dhe këngën e Adem Jasharit, mbase është shenjë se ka ardhur fundi i një epoke gati dyshekullore të këqyrjes shtrembër dhe nënçmimit të shqiptarit nga greku dhe fillimi i një epoke të miqësisë së vërtetë midis dy popujve më të vjetër të Ballkanit.” – ka shkruar ndër të tjera Latifi në Facebook.
Edhe Artan Behrami ish-këshilltar i Hashim Thaçit, ka komentuar fjalimin e Ramës teksa ka pasur kritika ndaj Kurtit.
“Albini natë e ditë duhet të lutet që Edi Rama mos ta luajë më nacionalistin dhe popullistin! Paramendo me çu koftëlargti me i mbush Rama stadiumet qishtu edhe në Kosovë, Luginë, Mal të Zi dhe në diasporë! Aukukuu! Para madhështisë së Edi Ramës, Albini po duket Ckarep!” – ka shkruar Behrami në Facebook.