Finlanda të hënën e javës së ardhshme do të nënshkruajë një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, me të cilën do të sillen ushtarë amerikanë e material ushtarake në ndihmë të shtetit evropian, tha të enjten qeveria finlandeze.
Shteti që kufizohet me Rusinë u bë anëtarja më e re e NATO-s më herët këtë vit, pasi kishte aplikuar si kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.
Qëllimi i marrëveshjes me Shtetet e Bashkuar është lejimi i qasjes së shpejtë ushtarake dhe i ndihmës për Finlandën në rast konflikti, thanë zyrtarët para njoftimit zyrtar.
“Fakti që nuk do të ketë nevojë për t’u pajtuar për gjithçka ndaras, e bën më të lehtë organizimin e operacioneve në kohë paqeje, por mbi të gjitha mund të jetë jetik në një krizë”- tha para gazetarëve ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.
Në marrëveshje përmenden 15 objekte dhe zona në Finlandë ku ushtria amerikane do të ketë qasje të papenguar dhe ku gjithashtu mund të vendosë pajisje ushtarake e municion, thanë zyrtarët.
Një shtet tjetër i Evropës Veriore, Norvegjia, i ka dhënë qasje ushtrisë amerikane në katër zona të territorit të saj, sipas Marrëveshjes për Bashkëpunim në Mbrojtje.
Finlanda nuk do ta lejojë vendosjen ose transportimin e armëve bërthamore dhe biologjike ose minave kundër personelit në territorin e saj, në vijë me traktatet ndërkombëtare për të cilat është zotuar më parë, thanë zyrtarët.
Ata shtuan se ushtria amerikane mund të ketë prani të përhershme dhe ushtrime të rregullta në Finlandë, por nuk ka plane për baza të përhershme.