Filmi “Oppenheimer”, i cili përshkruan jetën e krijuesit të bombës atomike Robert Oppenheimer, ka marrë më së tepërmi nominime për çmimet e Akademisë Britanike të Filmit (BAFTA), raporton agjencia “AP”.
“Oppenheimer” është nominuar në 13 kategori. Lista e nominimeve u zbulua të enjten.
Filmi “Poor Things” mori 11 nominime, ndërsa filmat tjerë si “Killers of The Flower Moon” dhe “The Zone of Interest” patën nga nëntë nominime secili.
Me nga shtatë nominime kanë projektet filmike si “Anatomy of a Fall”, “The Holdovers” e “Maestro”.
Kurse filmi “All of us Strangers” u nominua në gjashtë kategori e filmi “Saltburn” në pesë.
Pesë nominime ka edhe filmi “Barbie”, por nuk është i nominuar në kategorinë e filmit më të mirë.
Fituesit do të shpallen më 18 shkurt në ceremoninë që do të mbahet në “Royal Festival Hall” në Londër. Ceremoninë do ta udhëheqë ylli David Tennant.
Aktorët e nominuar për më të mirët në rol kryesor janë: Bradly Cooper për rolin në filmin “Maestro”, Colman Doningo për rolin në “Rustin”, Paul Giamatti për “The Holdovers”, Barry Keoghan për “Saltburn”, Cillian Murphy për “Oppnheimer” dhe Teo Yoo për “Past Lives”.
Ndërsa të nominuarat si aktoret më të mira në rol kryesore janë: Fantasia Barrino për rrolin në filmin “The Color Purple”, Sandra Huller për “Anatomy of a Fall”, Carey Mulligan për “Maestro”, Vivian Oparah për “Rye Lane”, Margot Robbie për “Barbie” dhe Emma Stone për “Poor Things”.
Çmimet BAFTA janë ekuivalenti britanik i shpërblimeve nga Akademia e Filmit në Hollywood, Oscar.
Akademia britanike e filmit ka bërë të ditur se ka bërë ndryshime në vitin 2020 në mënyrë që të ketë më shumë diversitet, pasi që asnjë grua nuk ishte nominuar si “regjisorja më e mirë” për shtatë vjet me radhë.