Ka filluar të mbahet sot seanca fillestare për Dragisha Millenkoviq në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Millenkoviq dyshohet se ka kryer krime lufte derisa ushtronte detyrën e ish-gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999.
Arrestimi i Millenkoviq në qershor te 2023 pati revoltuar serbet lokal ne Graçanicë të cilët edhe patën protestuar jo veç një herë.
Prokurorisë Speciale e Kosovës kishte bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.M. ish gardian serb i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, përkatësisht konfliktit të armatosur, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore në mënyrë sistematike i kishin malltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç’njerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këto veprime i pandehuri D.M. në bashkëkryerje akuzohet për veprat penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Klankosova