Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili është pjesë e Koalicionit “Lista për Familjen”, në një intervistë për “Frontal” ka thënë se koalicioni që ai është pjesë, ka për qëllim ruajtjen e familjes dhe vlerave tradicionale.
“Në Repulbikën e Adem Jasharit, Zahr Pajazitit e të gjithë dëshmorëve, me ardh situata që ne me thënë liritë dhe të drejtat e një njeri më qenë më të mëdha se përgjegjësitë dhe vlerat ndaj familjes, kjo është absurde. Për neve familja është e shenjtë, nuk është i shenjtë individi”, ka thënë Agani.
Agani që është edhe neuropsikiatër i njohur ka thënë se edhe individët që mund të kenë pikëpamje të tjera nga ato tradicionale për familjen, do të trajtohen të barabartë, por se “nuk do të lejohet interferimi në familje”
“Edhe ai njeri do të jetë i trajtuar i barabartë, me të gjitha të drejtat, por jo të lejohet interferimi në familje”, ka thënë Agani.
“Shoqëria kosovare është shoqëri shumë dinamike, ne i përvetësojmë vlerat e mirëfillta, por duke tentu si fshehtas të futet brenda shoqërisë tonë dicka e cila është shkatërrimtare. Nuk jemi ne paranoid, ne shohim përpjekje sistematike që të shtyhet një agjendë e cila tenton që një shoqëri e cila ësht tradicionale e organizuar mbi vlerat e familjes tradicionale ta shndërrrojnë në shoqëri të individëve. Ne po luftojmë për cdo familje të Kosovës”, ka thënë Agani.
Agani është shprehur i bindur se koalicioni “Lista për familjen”, do të kalojë pragun dhe se nuk do të hyjë në asnjë koalicion paszgjedhor me parti politike të cilat nuk e kanë paraparë ndryshimin e nevojshëm në Kodin Civil, duke evituar pjesën e ligjit ku lejohen martesat mes gjinive të njëjta.
Ferid Agani mban numrin 5 në “Lista për Familjen” 129.