Fëmijët tanë po vdesin çdo ditë. Është thirrja dëshpëruese e një babai në Gaza, ku situata humanitare bëhet gjithmonë e me katastrofike. Banorët atje, përballen jo vetëm me sulmet të intensifikuara të Izraelit, por edhe me urinë ekstreme. Pas një bllokade 11 javore të ndihma, Izraeli pretendon se ka lejuar hyrjen e 93 kamionëve të martën.
Megjithatë OKB thotë se ndihmat nuk kanë mbërritur ende tek popullsia e vuajtur e Gazës. Siç thuhet ekipi i OKB në enklavën e rrethuar priti për orë me radhe të kishte qasje tek kamionët në pikëkalimin kufitar për të grumbulluar ndihmat, por ushtria izraelite ende nuk kishte dhënë lejen.
Nga Vatikani, Papa Leoni bëri thirrje për lejimin e ndihmave të majftueshme humanitare në Gaza. Gjatë audiencës së parë të përgjithshme në Sheshin Shën Pjetër kreu i ri i Selisë së Shenjtë, e cilësoi situatën në territor si shumë shqetësuese dhe të dhimbshme.
“Përsëris thirrjen time të ndjerë për të lejuar hyrjen e ndihmave të mjaftueshme humanitare dhe për ti dhëne fund luftimeve. Çmimi më I lartë po paguhet nga fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët.”
Siç thuhet as 100 kamionë me ndihma nuk do të bëjnë diferencë të madhe pasi në Gaza nuk kanë hyrë furnizime për 11 javë. Imazhet e publikuara prej andej tregojnë tregje e markete bosh, pa fruta, perime apo mish. Dhe më e rëndësishme është se nuk ka as karburant për të vënë në punë gjeneratorët nëpër spitale, nuk ka ilaçe dhe 25 përqind e ujit të pijshëm është i kontaminuar.
OKB paralajmëron se 14 mijë foshnje mund të vdesin në Gaza gjatë 48 orëve në vazhdim, nëse furnizimet nuk mbërrijnë në zonat më kritike. Por Michael Kleiner, pjesëtar i partisë Likud të Netanjahut thotë për BBC se Izraeli po përpiqet që Hamasi të mos vjedhë ndihmat ndërsa fajëson grupin për pengim të paqes.
Ndërkohë ushtria izraelite vijon pa u ndalur bombardimet ajrore, duke vrarë të paktën të paktën 15 persona qe prej mesnatës, mes të cilëve edhe fëmijë. (A2 Televizion)