Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka folur rreth marrëveshjes së nënshkruar dje për hapjen e fabrikës së prodhimit të municioneve në Kosovë.
Sveçla sot para mediave tha se se shumë shpejt pritet të fillojë punimet për këtë fabrikë të municionit.
“Dje është nënshkruar kjo marrëveshje apo kontratë me quajtur ashtu, siç është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë. Republika e Kosovës do t’i ndërtojë kapacitetet për të prodhuar municionet e nevojshme për ushtrinë, por edhe për Policinë e Kosovës. Unë Besoj se edhe duke parë kontratën shumë shpejt do të fillojnë punimet dhe në afatin rekord brenda kërkesave teknike kjo do të realizohet. Vullneti ynë është që kjo të bëhet sa më parë, kemi pa edhe gatishmëri edhe nga pala tjetër ata të fillojnë menjëherë dhe të ketë angazhim serioz që kjo të kryhet me sukses dhe e përfundimin e saj një mangësi që e kemi pasur ne dhe ka qenë evidente do të tejkalohet qoftë në kuptimin e furnizimit të nevojave aktuale, qoftë në plotësimin e rezervave të nevojshme, po ashtu edhe në trajtimet shtesë të cilat janë të nevojshme për të gjitha institucione që përdorin këtë lloj të municione”, ka deklaruar Sveçla sot.
Prodhuesi turk shtetëror i industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) me të cilin Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme nënshkroi marrëveshje për hapjen në Kosovë të fabrikës për prodhimin e municioneve, ka bërë të ditur se ajo do të jetë sipas standardeve të NATO-s.
Në postimin e bërë, thuhet se fabrika në Kosovë do të jetë moderne.
“Nënshkruam marrëveshje për themelimin e një fabrike moderne në Kosovë që do të prodhojë municion sipas standardeve të NATO-s. Me këtë kontratë të nënshkruar, ne jemi krenarë që kemi kontribuar në eksportet e industrisë së mbrojtjes së Turqisë duke forcuar industrinë e mbrojtjes së vendit tonë mik dhe vëlla, Kosovën”, thuhet në postimin e bërë në Facebook.