Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka reaguar pas shpërthimit të një kazan në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. KEK tha se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A, shkruan Periskopi.
“Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt. Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe I njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit. Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë” thuhet në njoftimin e KEK-ut.