Ekipi kosovar i autosporteve i përbërë prej 29 anëtarëve – garues dhe zyrtar të Federatës së AutoSporteve të Kosovës, prej dje kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Valencias, ku kishin shkuar për të marrë pjesë në garën “Fia Motorsport Games”.
Shkak për këtë janë bërë përmbytjet që kanë ndodhur në qytetin e Valencias nga të reshurat e shiut, shkruan Gazeta Express.
Përpos këtyrë 29 zyrtarëve, atje kanë mbetur edhe disa të afërm të reprezentuesve kosovarë që kishin shkuar për ta përcjellur ekipin kosovar në gara.
Po ashtu, në aeroportin e Valencias të bllokuar kanë mbetur edhe ekipi i Shqipërisë. Të dyja ekipet në të njëjtin aeroplan do të duhej të ktheheshin nga Valencia në Tiranë.
Gazeta Express ka kontaktuar me zyrtarë të Federatës së AutoSporteve të Kosovës që kanë mbetur në Valencia.
Njëri nga ta i tha Express se u mbetet të kërkojnë aeroport tjetër alternativ për t’u kthyer nga Spanja në Kosovë
“Kemi ardhur dje në aeroport rreth orës 16:30, pasi që fluturimin e kemi pasur nga ora 19:50. Por, fluturimi nuk është realizuar. Na thanë që shtyhet për në orën 12:00, por as atëherë nuk pati fluturim. Ndërsa, sot u mbyll komplet aeroporti, ku ne jemi prej dje nga ora 16:30. Fluturimi ishte i paraparë të realizohej nga Valencia në Tiranë”, i tha Gazetës Express një zyrtar i Federatës së Autosporteve të Kosovës nga Valencia bashkë me ekipin kosovar
“Tash na duhet ta lëshojmë aeroportin dhe të gjejmë diku tjetër strehim, derisa të bëjmë zgjidhje alternative për t’u kthyer në Kosovë, nga Barcelona apo Madridi, apo të shohim prej nga”, tha tutje ai.
Pas përmbytjeve të shpejta në Spanjën juglindore, raportohet për më shumë se 50 të vdekur, ndërsa situata atje është alarmante dhe paniku është tejet i theksuar.