Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj paraburgimin tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Këtë për Express e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla do të jenë në paraburgim deri më 24 dhjetor.
“Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, tha ajo.
Murseli dyshohet se porositi vrasjen e Liridona Ademajt, duke i premtuar 30 mijë euro Plavës për ta kryer krimin e rëndë. Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.
Krimi i rëndë u krye para dy fëmijëve të saj, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të kaluar, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës. /GazetaExpress/