Në mesazhet e publikuara nga gazeta Nacionale, ‘komisarja’ e VV-së, Dejona Mihali, e ofendonte LDK-në duke thënë se “këta janë më horra se Isa Mustafa”.
Pra, Mihali e ofendonte rëndë ish-kryetarin e LDK-së, me të cilin edhe kishin bashkëpunuar.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Mustafa ka thënë se në kohën kur ai e kishte udhëhequr qeverinë, ia kishin ndaluar Mihalit hyrjen në Kosovë.
Sipas Mustafës, këto ofendime nuk janë çështje e një individi, por një frymë që ka marrë përkrahje në osovë.
“Sa më kujtohet, institucionet përgjegjëse të qeverisë time ia patën ndaluar znj Mihajli qëndrimin në Kosovë. Sot nuk mund ta fajësoj zonjën në fjalë për ofendimet ndaj meje dhe LDK-së, sikurse edhe për dirigjimin e pushtetit. Këto ofendime e sjellje parashtetërore sublimojnë një frymë që është mbjellë në Kosovë, që ka marrë votë e përkrahje qytetare. Nuk e konsideroj si çështje të një individi”, tha Mustafa për Nacionalen.
Raportimi i Nacionales
Në prill të vitit 2022 kishte shpërthyer skandali për punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës. Në KEK ishin punësuar familjarë e militantë të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes.
Kjo temë ishte diskutuar edhe në mesazhet ndërmjet ‘komisares’ së VV-së, Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Për këto punësime, sipas mesazheve, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte shkruar Email zyrtarisht në Korporatën Energjetike të Kosovës për të kërkuar informacione.
Pas kësaj kërkesë, LDK-ja kishte publikuar emrat e punësimeve në një konferencë për media. Këtë nuk kishte mundur ta kapërdijë lehtë Dejona Mihali. Ajo kishte shpërthyer në ofendime.
“Merre me mend, i bënë konferencat pastaj kërkojnë takim. Këta janë më horra se Isa Mustafa”, i kishte shkruar Mihali ish-kryeshefit të KEK-ut.
“Unë po mendoj mos t’i përgjigjem njëherë”, ia kthen Nagip Krasniqi.
“Leje të premten pasdite”, ia kthen Dejona Mihali.
Në një tjetër mesazh më poshtë, ajo i kërkon Krasniqit të ketë kujdes, pasi ‘ata janë të pabesë’.
“Edhe kujdes me ta se janë të pabesë dhe do t’i shtrembërojnë çkado që flet”, i shkruan Mihalit-Krasniqit për zyrtarët e LDK-së.
Diskutimi për LDK-në dhe për skandalin me punësime vazhdon në të tjera mesazhe.
Mihali ia përcjellë Krasniqit njoftimin e LDK-së se do të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurori për punësimet në KEK.
Ish-kryeshefi i KEK-ut ia kthen se e ka parë këtë njoftim.
“Kështu që takimi nuk e di sa vlerë ka”, ka shkruar Mihali.
Në ftesën zyrtare për takim që ua kishte nisur LDK-ja për të marrë më shumë informata rreth punësimeve, Nagip Krasniqi zgjedh të përgjigjet. Megjithatë, para se ta kthejë përgjigjen zyrtarisht, ia dërgon Dejona Mihalit për një tjetër verifikim.
“Faleminderit për interesimin e kryetarit të LDK për takim. Megjithatë takimi lidhur me shqetësimet e juaja rreth procesit të rekrutimit do të ishte i mirëpritur nga ne, para se LDK të kishte procedura me kallëzim penal në KEK”, thuhet në një pjesë të përgjigjes të përgatitur nga Nagip Krasniqi.
Megjithatë, versioni i Nagip Krasniqit nuk pranohet në tërësi nga Dejona Mihali. Kjo e fundit ia jep redaktimet e fundit para versionit final.
“Jo të ardhmen. Dhe në vend të përfshirë, si dhe të njoftoheshit me politikat e burimeve njerëzore”, thuhet në mesazhin e Mihalit.
Më pas, ajo e vazhdon bisedën, duke ia treguar Krasniqit numrin e deputetëve të LDK-së.
“Llogarit që kanë 13 deputet dmth kaq i kanë vlersuar njerëzit”, thuhet në mesazh.