Avokati i Popullit, Naim Qalaj ka dhënë më shumë detaje rreth takimit të zhvilluar dje me kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.
Para mediave, Qalaj zbuloi shqetësimet të cilat ia ka shprehur Trendafilova në raport me gjykatën, të cilat i ka pranuar nga publiku, e takimet me zyrtarë e përfaqësues të familjarëve.
“Ato që unë ia kam prezantuar Trendafilova. Takimi ka qenë i paralajmëruar, ditë më parë kam pranuar ftesë zyrtare nga vetë ajo. Nuk i ka dhënë arsyet, temat për diskutim kështu që për mua ka qenë e pranueshme në këtë formë dhe natyrisht kam pranuar takimin me të. Ne kemi diskutuar për shumë aspekte që lidhen me të drejtat rreth palët e dëmtuar dhe dëshmitarët e mbrojtur, dhe aspektet e tjera që lidhen me garantimin e një procesi të drejtë sipas standardeve të përcaktuara nga gjykata. Në takim kam shprehur shqetësime që unë kam pranuar nga publiku, nga takimet që kam pasur zyrtarë e përfaqësues të familjarëve dhe të tjerë që kanë interes lidhur me këtë proces dhe kam ngritur shqetësime duke kërkuar natyrisht edhe përgjigje nga ajo”.
“Kohëzgjatja e paraburgimit ka qenë një tjetër shqetësim që unë e kam ngritur që duhet të vlerësohet nga gjykata, se përveç që po e humb kuptimin si masë e sigurisë, po lë me kuptu që kjo gjykatë nuk po ka besim te institucionet e Kosovës që me caktimin e masave të tjera alternative, mund të arrihej qëllimi i paraburgimit por me sa duket në mungesë të këtij besimi nuk po ndodh. Kaluan shumë vite dhe procesi nuk është ende në përfundim, për mua paraqet cenim të një standardi që paraburgimi duhet të jetë masa e fundit e domosdoshme dhe proporcionale gjithmonë kur shteret mundësia”, tha ai.
Më tej, Qalaj deklaroi se në takimin me Trendafilovan foli edhe për mostransparencën e gjykatës, gjë të cilën kjo e fundit e ka mohuar.
“Kur paraqita shqetësimin për mungesën e transparencës së gjykatës, përgjigja e saj ishte se gjykata është shumë transparente, seancat janë publike, uebfaqja përditësohet gjithmonë por unë kam reaguar. Çdo publikim tjetër mund të jetë aspekt formal por jo përmbajtësor dhe jo ashtu siç kërkohen”.
Qalaj gjatë konferencës poashtu njoftoi se gjatë muajit prill e pati të planifikuar vizitën në Hagë, por kjo u anulua pasi nuk ka marrë një përgjigje të qartë se mund t’i vizitojë të gjithë të burgosurit, njofton Klankosova.
“Në një të ardhme do të shkoj në Hagë, do t’i vizitojë edhe të burgosurit, do të monitoroj edhe disa seanca gjyqësore dhe do ta takoj sërish kryetaren. Duhet me pa krejt punën e kësaj gjykate në raport me atë se sa gjykata ka arritur ta mbrojë dhe mos ta cenojë kompetencën e vet në hartimin e normave ligjore. Kryetarja ka qenë e hapur për diskutime, por në përgjithësi ka demantuar që avokati i popullit nuk ka kompetenca me i hetu këto raste, por ia kam bërë me dije që ka kompetenca me u përkujdes për funksionimin e përgjithshëm të sistemit të drejtësisë, gjë që duke e parë në këtë prizëm, mendoj që askush nuk ka të drejtë që institucionin e avokatit të popullit me e shmang. Edhe në të ardhmen do të vazhdoj të jem në qasjen e njëjtë. Vizitën e planifikuar, e kam pas planifikuar në prill, arsyeja pse nuk kam shkuar është se nuk kam marrë një përgjigje të qartë se mund t’i vizitoj të gjithë të burgosurit, i kanë përmendur vetëm disa emra. Nuk kanë qenë ndalesa, kanë qenë procedura teknike. Kryetarja është thirr në atë që nuk përzihet në vendimmarrjen e gjykatës. Dy ankesa kemi pranuar nga familjarët, pra nga mbrojtja. E para me të dënuarin Mustafa, takova avokatin e tij mbrojtës dhe ka parashtruar shqetësime të cilat i kam shprehur pas vizitave që kam pasur në Hagë, por kuvendi vetëm e kaloi pa e diskutuar.
Vizita e Trendafilovas në Kosovë ngjalli reagime të mëdha tek OVL-UÇK. Dje, veteranët e luftës u mblodhën para hotelit ku ajo paralajmëroi se do të mbante konferencë për media, pasi sipas një reagimi të tyre, ardhja e saj në vendin tonë është e papranueshme dhe fyese për ata që kanë dhënë jetën për liri.