Agjentë të policisë kryen mëngjesin e së martës një seri kontrollesh në zyrat në Bruksel të euro-deputetit gjerman Maximilian Krah, asistenti i të cilit u arrestua pak ditë më parë nën akuzën e spiunazhit në favor të Kinës.
“Parlamenti Evropian ka dhënë konsensusin e tij për kontrollet”, njoftoi zyra e Prokurorit Federal të Gjermanisë përmes një komunikate për shtyp.
Sipas Euronews, kontrollet po bëhen në bazë të urdhrave nga prokurori i Gjykatës Federale të Drejtësisë dhe Urdhri Hetimor Evropian.
Operacioni përfshiu si zyrat e euro-deputetit Krah, ashtu edhe ato të asistentit të tij Jian Guo, i cili u arrestua muajin e kaluar nga autoritetet gjermane pasi u akuzua se shërbente si një punonjës i shërbimit sekret kinez dhe se vazhdimisht kishte kaluar informacione për negociatat dhe vendimet e Parlamentit Evropian.
Çështja mori menjëherë emrin “China-gate” dhe shkaktoi zemërim politik. Ende nuk është e qartë nëse operacionet e së martës u drejtuan nga policia belge apo ajo gjermane.
Maximilian Krah është një eksponent i spikatur i partisë Alternativa për Gjermaninë, e cila që prej vitit 2019 ulet përkrah grupit të së djathtës ekstreme Identitet dhe Demokraci.
Pas publikimit të akuzave të ngritura ndaj asistentit, Krah deklaroi se e kishte mësuar arrestimin e tij nga shtypi dhe se nuk kishte ndonjë informacion më shumë për të ndarë.
Gjithashtu, ai nënvizoi se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen për shkak të këtij skandali.
Kontrollet vijnë në një kohë kur mungon më pak se 1 muaj nga zgjedhjet euro-parlamentare, ku ndërhyrja e huaj konsiderohet një shqetësim serioz.