Kompania “Apetit Shpk” ka dalur me një reagim pas raportimeve të mediave në Shqipëri se e njëjta kompani ka importuar mish nga Brazili dhe më pas ka falsifikuar dokumentet për origjinën e mishit, me ndihmën e AUV’it, duke shkruar në etiketa se është mish i freskët nga Kosova dhe e ka shitur më pas në Shqipëri.
Kompania i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se u përmbahet standardeve më të larta të sigurisë, cilësisë dhe transparencës. Raportimet i ka quajtur tendencioze.
“Në rastin e publikuar nga një media shqiptare, të dërguar në mënyrë tendencioze, ne jemi dakorduar që të eksportojmë rreth një ton mish viçi, prodhim i thertores tonë. Megjithatë, në videon e publikuar, me qëllim dekurajimin e dëpërtimit tonë në tregun shqiptar duke krijuar një imazh të pavërtetë tek publiku, ata kanë publikuar një video ku diskutohet për dy artikuj të ndryshëm, njëri ndër ta edhe biftekun e importuar nga Amerika e Jugut të cilin ne e ofrojmë në treg me kushte të tjera.
Ndryshe nga këto publikime të fundit, Apetit Shpk mohon kategorikisht çdo pretendim për sjellje të pahijshme ose keqpërdorim në operacionet tona. Ne sigurojmë klientët tanë, palët e interesuara dhe publikun e gjërë që proceset tona i përmbahen standardeve më të larta të cilësisë, sigurisë dhe transparancës. Objektet dhe procedurat tona i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe inspektimit rigoroz nga autoritetet përkatëse shtetërore, duke përfshirë AVUK, Doganat dhe ATK”, thuhet në reagim.