Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shfaqjen e dokumentarit kushtuar arkitektit Rexhep Luci – Rexhep- Cka e vrau arkitektin?.
Kurti tha se derisa e shihte filmin ndjeu zemërim të madh. Ai shtroi pyetjen “pse ka ende kaq shumë të panjohura”.
“Teksa e shikoja këtë film, ndjeja zemërim gjithnjë e më të madh. Përse ka ende kaq shumë të panjohura? Si mund të shndërrohet një atentat mizor mbi një arkitekt të mirënjohur të qytetit në një historik të paditur për të cilën ende ka kaq shumë frikë saqë as emrin e tij nuk e themi më? A është emërtuar asokohe një rrugë Prishtine “Rexhep Luci” pikërisht që të mos i përmendet emri më atij as në Prishtinë? Apo me atë rrugë deshën të na e dëshmojnë që anarkia ngulfatëse e privatizimit abuziv ka ngadhënjyer edhe në rrugën që mban emrin e tij? Mbrëmë në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, u shfaq dokumentari “Rexhep – Çka e vrau arkitektin”, nga MB OFFICE me regji të Mathieu Jouffre dhe skenar nga Besa Luci dhe Mathieu Jouffre, ku përkujtuam jetën dhe veprën e Rexhep Lucit.”
Kurti tha se Rexhep Luci nuk ishte vetëm arkitekt, por një njeri me vizion pasionant e profesional urbanistik.
“Rexhep Luci nuk ishte vetëm një arkitekt, por një njeri me vizion pasionant e profesional urbanistik, njëkohësisht të qartë e të realizueshëm, për të ardhmen e qytetit të tij të dashur, Prishtinës.”
Kurti tha se dorasit janë ende në liri dhe ka drejtësi të mohuar për familjarët dhe miqtë e Rexhep Lucit.
“Rasti i vrasjes së Rexhep Lucit i cili fillimisht trajtohej nga ndërkombëtarët e UNMIK-ut është transferuar te prokuroria e drejtësia vendore. Dorasi(t) ende në liri, me drejtësi të mohuar për rastin, familjarët e miqtë e tij, mbarë popullin e shoqërinë.”
“Ne të gjithë duhet të flasim, të zemërohemi me të panjohurën sublime që e shfaq ky krim dhe të angazhohemi për dokumentimin e punës dhe qasjen që e kishte arkitekt Rexhepi. Le të nderojmë kujtimin e Rexhep Lucit jo vetëm me fjalë, por duke kërkuar drejtësi, duke luftuar për llogaridhënie, dhe duke u përkushtuar ndaj të njëjtit vizion për integritet dhe përparim për të cilin ai nuk u spraps derisa dha edhe jetën.”
Në fund, Kurti ka thënë se “trashëgimia e Rexhep Lucit mbetet e gjallë dhe duhet të vazhdojë përmes veprave tona”.