Partitë politike kanë filluar të zhvillojnë aktivitete të parafushatës në mënyrë të intensifikuar dhe Qeveria ka tendenca për të ndërhyrë në proces zgjedhor, ka vlerësuar koalicioni “Demokracia në Veprim”.
Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” theksoi se në mungesë të rregullimit ligjor, partitë politike kanë filluar të zhvillojnë aktivitete të parafushatës në mënyrë të intensifikuar, duke përdorur njëkohësisht platformat digjitale. Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje, si parti në pushtet, ka zgjedhur të orientojë aktivitetet e saj jashtë vendit, ndonëse edhe partitë opozitare kanë organizuar disa takime me qytetarë jashtë vendit, por ato janë fokusuar më shumë në aktivitete brenda Kosovës.
“Për më tepër, ka pasur një rritje të sponsorizimeve të postimeve në platformat digjitale nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me mijëra euro të shpenzuara deri më tani”, ka thënë ai në konferencë për media.
Si një nga problemet më të mëdha të parafushatës së deritanishme, Cakolli ka theksuar se është përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale dhe ndërhyrjet e Qeverisë në procesin zgjedhor.
“Kjo përfshin veprime që dëmtojnë barazinë e garës zgjedhore dhe mund të ndikojnë në përcaktimin e votuesve, duke krijuar një garë të pabarabartë. Ndër to, masat financiare (rritja e pensioneve, pagës minimale dhe pagave në sektorin publik) të miratuara nga Qeveria, që pritet të hyjnë në fuqi pak kohë para zgjedhjeve, shpërfaqin një model të rrezikshëm të përpjekjes për të ndikuar votuesit nëpërmjet fondeve publike”, është shprehur ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga DnV-ja ishte edhe me procesin e votimit jashtë vendit. Sipas koalicionit, Ministria e Punëve të Jashtme ka tentuar të ndërhyjë në këtë proces duke kërkuar hapjen e qendrave të votimit në vende të tjera, “gjë që është e paligjshme, pasi KQZ-ja është institucioni i vetëm që ka autoritetin për të organizuar dhe administruar zgjedhjet”.
“Në anën tjetër, DnV vëren se shumë prej listave të publikuara të kandidatëve të subjekteve politike, përfshijnë kandidatë më të rinj dhe përfshirja e grave është rritur në mënyrë të dukshme. Megjithatë, u potencua që partia në pushtet është e vetmja që qëndron e mbyllur për publikun sa i përket finalizimit apo publikimit të listës së kandidatëve”.