Një civil në Ukrainë u vra dhe dy të tjerë u plagosën në së paku pesë sulme me raketa të ushtrisë ruse në qytetin Sllobozhanske, në jug të Harkivit.
Guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, tha se në shënjestër të sulmeve ishite një kompleks rekreativ.
“Një civil u vra. Dy civilë, përfshirë një burrë dhe një grua, u plagosën”, shkroi ai në platformën Telegram.
Forcat ruse, gjatë disa javëve të fundit, i kanë intensifikuar sulmet në Harkiv – qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet rreth 34 kilometra larg kufirit.
Në një sulm me raketa më 31 maj, në lagjen Novobavar të qytetit, nëntë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjendet në Filipine, për të promovuar një samit të paqes, që do të mbahet këtë muaj në Zvicër.
Një ditë më herët, ai qëndroi në Singapor.
Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim. /REL/