Qeveria e Kosovës po insiston që paratë të cilat Serbia i fut në Kosovë, si pagesa për serbët që jetojnë këtu, të hyjnë nëpërmjet BQK’së e pastaj t’u shpërndahen në llogari bankare. Akuzave nga Beogradi se me këtë po e pësojnë serbët në Kosovë u është përgjigjur dje Kryeministri gjatë takimit me diplomatët e akreditur në Kosovë – sipas tij rregullorja e BQK’së nuk është siç portretizohet nga Serbia. Diplomatët më me ndikim kanë kërkuar nga Qeveria ta shtyjë vendimin në mënyrë që të ketë një periudhë tranzitore. Ekzekutivi është pajtuar me këtë duke u zotuar se nuk do të zbatojë gjoba, por të shtunën policia ka ndaluar një veturë që po sillte dinarë duke i sekuestruar paratë. Një veprim i tillë erdhi pasi të premten Presidenti serb tha se serbëve të Kosovës po u dërgohen paratë në avans.
Përjashtimi i dinarit serb nga përdorimi në Kosovë mund të ndezë tensionet e reja etnike dhe do të mund të përsërisë historinë sikur me çështjen e targave apo vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale të katër komunave veriore. Tashmë kanë nisur thirrjet e ndërkombëtarëve për shmangie të tensioneve, derisa partneri kryesor i Kosovës, SHBA, paralajmëroi me dëmtim të “kualitetit” të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Të shtunën në mbrëmje, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, doli me një deklaratë përmes së cilës shprehte shqetësimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës, për të cilat tha se kanë “një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë”.
“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokues efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, u tha në deklaratë.
Shqetësimet e SHBA-së nuk ishin vetëm për dinarin, por edhe për aksionet e Policisë së Kosovës për mbylljen e strukturave paralele në pjesë të ndryshme të vendit.
“Ato [veprimet] përfshijnë operacionet e kryera nga Policia e Kosovës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javës së kaluar në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, si dhe në OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë. Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për të shpërndarë pagesat sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”.
Po atë natë, Hovenier tregoi edhe për një veprim të policisë së Kosovës duke thënë se ata kanë ndalur një veturë që po transportonte dinarë. Diplomati amerikan tha se policia i kishte konfiskuar që të dyja.
Për këtë nuk ka pasur informacion nga institucionet. Të martën, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, në një përgjigje për “Radio Gorazhdecin”, ka thënë se janë duke kryer hetime.
“Aktualisht jemi duke kryer veprime para-hetimore lidhur me paratë e sekuestruara dhe ligjshmërinë e tyre”, ka thënë zëdhnësi.
Zëra opozitarë në Kosovë kanë thënë se Qeveria s’duhet të pranojë negociata për këtë çështje, ndërsa Zëvenëskryeministri Bislimi ka thënë se kjo temë s’është produkt i negociatave.
Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” shkroi sot se Kosova është duke u fajësuar për ndalimin e përdorimit të dinarit duke theksuar se Qeveria është pajtuar ta zgjas afatin përtej 1 shkurtit, pa treguar për sa kohë.
Në rregulloren e BQK’së e cila po publikohet shpesh ditëve të fundit në rrjetet sociale të kësaj banke thuhet se “valutë e vlefshme për pagesë si mjet pagese i ligjshëm është vetëm Euro”, ndërsa “valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Me të nisur java, Hovenier pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti dhe me ambasadorë të tjerë të akredituar, tha para gazetarëve se kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që zbatimi i rregullores së BQK-së të shtyhet.
“Ne natyrisht se përkrahim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, shpëlarjen e parave, financimin e terrorizmit dhe të ngjashme, por ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”, tha Hovenier.
SHBA kërkoi që çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia të trajtohen në tavolinën e negociatave në Bruksel.
Të njëjtën po e kërkon edhe ndërmjetësuesi i bisedimeve. Bashkimi Europian tha se po ashtu është i shqetësuar për dy veprime të autoriteteve kosovare: përjashtimin e dinarit dhe mbylljen e strukturave paralele.
Zëdhënës i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, të hënën tha se veprimet e Kosovës janë të njëanshme dhe shqetësuese dhe se nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës – një kërkesë kjo e përsëritur nga BE për heqjen e masave ndëshkuese që u vendosën kundër Kosovës për tensionet e krijuara nga targat.
“Ato veprime, zakonisht, nuk janë të koordinuara, janë të njëanshme dhe pa nivelin e duhur të konsultimeve paraprake për të shmangur ndikimin negativ që mund të kenë ndaj njerëzve në terren. Prandaj, Bashkimi Europian reagoi ndaj të dyja këtyre zhvillimeve. Natyrisht, se është shqetësuese kur shohim se një varg i hapave të njëanshëm mund të çojë deri te diçka që ne nuk do të donim të shihnim – përkeqësimi i situatës në terren. Sepse, një gjë është e qartë, ato veprime nuk japin kontribut për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar që njerëzit të ndihen se jeta e tyre po bëhet më e mirë. Krejt e kundërta. Prandaj është e rëndësishme të kthehen në dialog“.
Duke iu përgjigjur pyetjeve se a planifikohen takime të shpejta në kuadër të dialogut, zëdhënësi i BE-së ka thënë se po punohet në atë drejtim, porse nuk ka ndonjë datë të paraparë.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, po punon me partnerët nga të dyja palët në rajon dhe në BE, si dhe me bashkësinë më të gjerë ndërkombëtare, në mënyrë që të mundësohet që të dyja palët të fillojnë të sillen në mënyrë konstruktive, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë çështjet e rëndësishme pa hapa të njëanshëm“, është shprehur Stano.
“Nuk jam në gjendje të shpall ndonjë datë të ndonjë takimi të radhës. Përfaqësuesi i posaçëm po punon me një ritëm të përditshëm dhe shpresojmë se në një moment do të do të jemi në gjendje të caktojmë një takim të nivelit të lartë të presidentit nga Serbia dhe kryeministrit nga Kosova, ku do të bënim përpjekje për t’u ndihmuar t’i zgjidhin çështjet“.
Shmangien e veprimeve të njëanshme e kërkoi edhe një ministër nga një vend anëtar i BE-së.
Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë dje në një vizitë zyrtare në Prishtinë se Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjshmërinë, duke e vendosur euron si valutë të vetme, por, sipas tij, duhet të jepet kohë për zbatimin e rregullores së BQK-së.
“E dimë që Kosova ka të drejtë për ta zbatuar ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bëjnë pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së euros si valutë e vetme. Mirëpo, nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë të përshtatshme që askush të mos ketë frikë dhe të mos ketë mosinformim. Unë mendoj se është mirë që të bëhet dhe të realizohet rregullorja, mirëpo të jepet dhe një afat pak më i gjatë për zbatimin e saj”, tha ai, derisa kërkoi rinisjen e shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi.
Këto komente ai i bëri në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani.
Kjo e fundit tha se aleatët e Kosovës nuk janë kundër kësaj rregullore të BQK-së dhe se e përkrahin sundimin e ligjit në Kosovë.
“Nuk shoh asgjë jonormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë në gjetjen e rrugëve shumë efektive nëpërmjet të cilave do të informoheshin qytetarët e Republikës së Kosovës se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së”.
Kurti dje me ftesë të tij mblodhi ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë për të mbi rregulloren e BQK-së.
Ai u tha atyre që rregullorja nuk ka cak ndalimin e dinarit apo të ndonjë valute tjetër, por synim ka rregullimin bankar dhe financiar në Kosovë.
“Rrjedhimisht rritjen e integritetit financiar të vendit dhe kufizimin e financimit të aktiviteteve ilegale, pastrimin e parasë, qarkullimin e parave të falsifikuara dhe formalizimin e ekonomisë. Nga ana e Qeverisë u theksua se asnjë biznes lokal në pronësi të qytetarëve serbë në Kosovë ose në komunat me shumicë serbe nuk është dënuar apo gjobitur prej hyrjes në fuqi të rregullores dhe se ky nuk është qëllimi i institucioneve”, u tha në komunikatën e ZKM-së për takimin.
Kryeministri Kurti tha se as situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia.
“Rreth 40 mijë qytetarё serbё në Kosovë kanë llogari bankare në njërën nga bankat e licencuara në Kosovë. Përmes tyre ata pranojnë pensione, mbështetje sociale, paga mujore, shtesa për fëmijë e lehona, e shtesa tё tjera të njëhershme nga thesari i shtetit të Kosovës. Rregullorja mundëson pranimin e fondeve, pagave dhe pensioneve nga jashtë si formë e transfereve në këto llogari bankare, dhe sipas saj dinari mund të shërbejë si mjet për kursim fizik, në llogari kursimi në bankë dhe këmbehet në këmbimore të licencuara. Pra nuk pengon qasjen në financa, në të njëjtën kohë që qasja fizike ofrohet përmes bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare gjithandej vendit – vetëm në katër komunat në veri të vendit janë gjithsej 15 institucioneve financiare jo-bankare dhe katër degë të bankave komerciale”.
Por, Kurti, siç njoftoi ZKM, shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve vartëse që të adresojnë në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim të ngritur në mënyrë të shpejtë teksa theksoi që gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, fokusi do të jetë informimi i bizneseve të cilat operojnë në dinar dhe në mënyrë të paformalizuar.
Ai gjithashtu i njoftoi se nga Banka Qendrore e Kosovës ka marrë konfirmimin se është e gatshme të angazhohet në diskutim profesional e operacional me Bankën Popullore të Serbisë për të asistuar në identifikim e mekanizmave ligjorë, tё sigurt dhe transparent tё transferimit tё çfarëdo formë të mbёshtetjes nga Republika e Serbisё./GE/