Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra theksoi para deputetëve se Projektligji i ri për Komisionin e Pavarur për Media ndryshon radikalisht rregullimin e mediave online dhe sipas saj me këtë i hapet rrugë autoritarizmit dhe cezurës.
Deliu-Kodra tha se ndryshimet ligjore janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës dhe OSBE-së.
“Po marr shkas nga mbledhja e djeshme e Komisionit për Administratë publike, Pushtet Lokal e Media që të flas mbi votimin e djeshëm ku me 6 vota u miratua në lexim të parë Projektligji për KPM.
Përkundër përpjekjeve të partive opozitare që të ndalojnë miratimin e këtij ligji në komision kishte një diskutim ku për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht rregullimi i mediave online, të cilat kanë përmbajte të videove”, tha ajo.
Sipas deputetes së PDK-së propozimi i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi median online përfaqëson sulm të drejtpërdrejtë ndaj fjalës e së lirë, medias së lirë dhe ndaj demokracisë.
“Rreziqet e këtij propozimit shkojnë përtej mbytjes së fjalisë së lirë, duke i hapur rrugë autoritarizmit dhe cezurës”, tha ajo.
PDK i bëri thirrje Qeverisë të tërheqë këtë projektligj.