Ekonomisti Agron Demi e ka quajtur marrëzi mospranimin e sugjerimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të zbatimit të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Siç është shprehur ai, arsyetimet që i jepen ndërkombëtarëve se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur dhe se politika nuk duhet të ndërhyjë në vendimmarrjen e saj janë shaka e pakripë.
Ai ka thënë se politikanët duhet ta kenë të qartë që këto arsyetime “nuk pinë ujë” te vendet si SHBA-ja, që vazhdimisht ka ndihmuar që BQK-ja të funksionojë profesionalisht, pavarësisht keqpërdorimeve që kanë ndodhur brenda këtij institucioni.
You can skip this ad in 5
Advertisement
“Për të iu thënë ndërkombëtarëve, sidomos SHBA-së, që Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur dhe se politika nuk duhet të përzihet në vendimmarrjen e saj, është shaka e pacipë dhe s’e di se si nuk i vije marre secilit politikan ta thotë këtë, kur që nga themelimi i BQK-së e deri më sot secila parti e ka mbushur këtë institucion me familjarë nga recepsionisti e deri te guvernatori, nën vëzhgimin e SHBA-së, e cila konstant ka ndihmuar që përkundër kësaj BQK-ja të funksionojë profesionalisht. Kjo më e pakta është të bëhet shaka me ndihmën që SHBA-ja ia ka dhënë këtij institucioni. Duke pasur parasysh krejt këtë, është marrëzi mos të pranohet sugjerimi i SHBA-së për shtyrje të zbatimit të rregullores, së paku jo me atë arsyetim se BQK-ja është institucion i pavarur. Se veç institucione të pavarura nuk ka në këtë vend”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Demit, në rregulloren e re të BQK-së, duhet gjithashtu të rregullohet edhe përdorimi i valutave të huaja brenda vendit, përfshirë edhe dinarin.
“E dëgjova intervistën e Guvernatorit të BQK në KTV dhe për herë të parë jam shumë optimist që nën drejtimin e tij, BQK-ja më në fund do të kalojë në sistemin modern të pagesave dhe transaksioneve financiare. E për ta bërë këtë, duhet rregulluar përdorimin e valutave të huaja brenda vendit, duke përfshi edhe dinarin. Nuk është aspak profesionale që në emisione televizive, analistë e gazetarë, e përqeshin vendimin për ‘dinarin’, duke thënë se dinari është para për të blerë vezë, e të injorohet fakti që dinari ka qenë flaka që ka mbajtur në këmbë institucionet paralele, mbajtësja e kontrabandës e akteve terroriste si ai i Banjskës”, ka shtuar ai.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë të martën në “Konfront” të KTV-së, se Rregullorja e re e përafron Kosovën me standardet më të larta të Bashkimit Evropian dhe direktivat e BE-së për sa i përket shpëlarjes së parave, financimit të terrorizmit, krimit financiar po ashtu aspekte tjera të informalitetit të ndërlidhura me to.