Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka thënë se rezultati i vitit 2021 nuk mund të tejkalohet.
Ai thotë se Kurti mund të kërkojë vota, por që realiteti është ndryshe dhe në zgjedhjet e kaluara ka qenë tjetër frymë.
“Është e drejtë e tij të kërkojë vota, madje jo ta tejkalojë rezultatin por edhe t’i marrë 100 për qind vota, por realiteti pastaj është ndryshe sepse rezultati i 14 shkurtit ka qenë një frymë që është mbledhur rreth kryeministrit të tanishëm Kurtit dhe presidentes të tanishme Osmanit, por që ka qenë një frymë që ka qenë kundër partive që kanë qeverisur për një kohë, që qytetarët filluan të jenë të pakënaqur me qeverisjen e tyre dhe filluan të besojnë në premtimet e VV-së që ajo i ka dhënë në opozitë në atë kohë, dhe për atë arsye ka ardhur deri te rezultati i asaj kohe por sot nuk mendoj që mund të arrihet ai rezultat sepse qytetarët e kanë parë qeverisjen edhe të PDK-së, edhe të LDK-së, edhe të AAK-së, njëkohësisht e kanë parë dhe një qeverisje 4 vjeçare të Vetëvendosjes, e cila qeverisje nuk ka qenë qeverisje që mund të dallohet nga ato të kaluarat, pak a shumë kanë qenë të njëjta sa i përket arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, apo çështjeve sociale, pra tashmë nuk është tabu çështja e VV-së në pushtet, është e provuar në pushtet dhe me gjasë qytetarët nuk do ta votojnë siç e kanë votuar me 14 shkurt, pra kundër atyre dhe vetëm pro këtyre, por tash kanë mundësi që ta bëjnë vlerësimin e secilës qeverisje të të gjitha partive dhe besoj se rezultati do të jetë shumë më ndryshe se ai i 14 shkurtit”, shprehet Demhasaj.
Sa i përket renditjes së partive në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas analistit VV ende ka përkrahje dhe mund të dalë parti e parë, por që dallimi ndërmjet vendit të parë dhe të dytë nuk do të kalojë 10 për qind.
“Akoma ka një përkrahje të madhe për VV-në por jo e njëjtë si 4 vite më herët, kështu që me gjasë nëse VV shkon deri në fund, s’ka ndonjë skandal të madh ditëve të fundit të qeverisjes siç ka pasur në të kaluarën, mendoj që momentalisht VV prin, është partia e parë, pastaj është lufta mes PDK-së dhe LDK-së se cila do të jetë partia e dytë apo e tretë dhe AAK-Nisma që janë partia e katërt. Por dallimi në mes të vendeve nuk do të jetë aq i madh, p.sh.: dallimi në mes të vendit të parë dhe të dytë nuk do të jetë më shumë se 10 për qind, e lëre më dyfishim të votave apo tejkalim të rezultatit të 14 shkurtit të zgjedhjeve të kaluara”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Demhasaj tregon dhe skenarët se si mund të bëhen koalicionet mes partive, pas 9 shkurtit.
“Ka disa kombinime që mund të ndodhin për koalicioni. Një kombinim që mund të ndodhë që po përflitet është në mes të VV-së dhe PDK-së, ku po përflitet që mund të vie deri te ajo që VV ta marrë postin e presidentit, ndërsa PDK-ja kryeministrin, pra të bëhet një qeverisje e tyre e përbashkët, mirëpo varësisht prej rezultatit të zgjedhjeve mund të jetë dhe kombinimi VV me AAK-Nisma, ku VV ta mbajë pozitën e kryeministrit ndërsa AAK-Nisma pozitën e presidentit apo të kryetarit të Kuvendit. Dhe kombinimi i fundit që mund të jetë është që nëse VV del e para por s’mund ta formojë e vetme qeverinë dhe partitë opozitare nuk i shkojnë në koalicion, atëherë e konsumon të drejtën e mandatit Vetëvendosje, atëherë i jepet mandati automatikisht partisë së dytë dhe partia e dytë mund ta formojë një qeveri me partitë tjera që VV të mbetet në opozitë. Pra, të tri këto skenarë mund të jenë të mundshëm pas datës së 9 shkurtit”, deklaron Arton Demhasaj.