Një pjesë e ditarit të dëshmitarit Agim Zogaj, tashmë u pranua edhe nga Gjykata Speciale. Dëshmitari X ishte gjetur i vetëvrarë në një park në Duisburg të Gjermanisë, ku ishte dërguar nga EULEX-i për t’u mbrojtur para gjykimit në rastin Kleçka. Ditari i tij që tash pritet të përdoret në Hagë, kishte shkaktuar shumë reagime sikur e tërë historia e dëshmitarit X. Nacionale sjell detaje.
Ishte korriku i vitit 2011 kur Prokuroria e EULEX-it kishte ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Limajt dhe 9 të tjerëve si të dyshuar për krime të luftës. Krimet dyshoheshin të kenë ndodhur në një qendër ndalimi në Kleçkë.
Dëshmitari kryesor i gjithë këtij procesi planifikohej të ishte Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X, në kohën e luftës pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me qëllim të mbrojtjes së dëshmitarit Zogaj, EULEX-i e kishte dërguar atë në Gjermani.
Megjithatë, dy muaj pas aktakuzës, në shtator 2011, Agim Zogaj u gjet i vdekur në një park në Duisburg të Gjermanisë. Policia gjermane ditë më pas, doli me sqarime duke e vlerësuar rastin si vetëvrasje. Megjithatë, me vdekjen e Zogajt nuk u shuan misteret, madje vetëm sa u rritën.
Një ditar të cilin Agim Zogaj e kishte lënë, ishte kthyer në një nga provat më të rëndësishme në gjithë rastin Kleçka, ku më pas Limaj dhe të gjithë të tjerët do të dilnin të pafajshëm, raporton Nacionale.
Ditari i Zogajt përfshinte edhe emra të personave të njohur në Kosovë si Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Blerim Kuçi, dhe emra të tjerë që kishin vepruar në zonën e Kleçkës. Akuzat ndërlidheshin me ndalimet dhe maltretimet në qendrën e ndalimit në po këtë fshat.
Dëshmitari X e kishte përmendur edhe emrin e Hashim Thaçit në intervistimin e dy gazetarëve të ashtuquajtur serbë, Vladimir Dobriçiq dhe Nebojsha Radosheviq.
Një kohë një pjesë të ditarit e kishte publikuar Koha Ditore. “Në letrën e 29 janarit 2009, Agim Zogaj, shkruan “Fatmir Limaj përmes Naser Krasniqit nga Baja, Sabit Shalës nga Kleçka, ndihmësi i tyre majori Nexhmi Krasniqi nga Tërpeza niherë u munduan përmes Halit Gashit dhe Bashkim Thaçit, me çdo kusht tentojnë tek gruaja ime që ta bindin që kjo mos të dëshmojë asgjë në gjykatë kundër emrave ose që mos të shkon fare në gjykatë. Fjala është për gjykatën në Ferizaj më 27. 01. 2009 në ora 13:00”.
Në disa letra të tjera ai kishte akuzuar edhe prokurorët e EULEX-it, dhe kishte përmendur emra të ndryshëm të udhëheqësve të UÇK-së. Shkruante edhe për ndalimin e lirimin e disa personave nga qendra e ndalimit në Kleçkë.
Megjithtë, gjatë procesit gjyqësor të EULEX-it në Kosovë, ditari i dëshmitarit X herë merrej parasysh, e herë nuk merrej. Avokatët e Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë kishin bërë një ekspertizë, ku kishin evidentuar se ditari ishte shkruar nga katër duar të ndryshme.
Sipas ekspertizës të bërë nga mbrojtja, eksperti kishte konstatuar se në ditarin e dëshmitarit X kishin shkruar së paku 4 persona të ndryshëm. Kjo sipas avokati Khan ishte shumë shqetësuese, pasi që prokurori është dashur të merret me këtë çështje paraprakisht ose në fazën e hetimeve. Ai tha “këto rezultate dridhin bazën e këtij gjykimi”.
Në mars të vitit 2012, Gjykata e kishte shpallur ditarin e dëshmitarit X si të papranueshëm në proces. Në një njoftim të EULEX-it thuhej se gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale. Me atë rast, gjykatësi kryesues kishte urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve nga paraburgimi.
Megjithatë, në nëntor të vitit 2012, Gjykata Supreme e miratoi pjesërisht ankesën e prokurorit special të EULEX-it dhe e ktheu çështjen në rigjykim. Trupi gjykues atëbotë, më pas, i shpalli të pranueshme edhe dëshmitë e Agim Zogajt.
Përfundimisht, në shtator të vitit 2013 Fatmir Limaj dhe të akuzuarit e tjerë u liruan sërish. Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, kishte bërë të ditur përmes një komunikate për media, se trupi gjykues kishte konsideruar se “lënda e Prokurorisë mbështetej kryesisht në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, Agim Zogaj, tani i ndjerë”.
Megjithatë, EULEX pohon në komunikatë se “trupi gjykues vendosi që dëshmia e tij lidhur me disa çështje të rëndësishme në fjalë, veçanërisht identiteti i personave për të cilët ai pohon se i kanë kryer veprat që u ngarkohen, nuk është vërtetuar me dëshmi të besueshme dhe të pavarura dhe ishte, në fakt, në mospërputhje dhe e kundërshtuar nga dëshmitë tjera”.
“Në përgjithësi, trupi gjykues vlerësoi se, në aspektet e rëndësishme materiale, dëshmia e Agim Zogaj ishte tërësisht e pabesueshme dhe se do të ishte e pasigurt që të bazoheshin në të për t’i dënuar të pandehurit për veprat nga aktakuza”./Nacionale/