Leva kryesore e politikave vepruese në Kosovë dhe Shqipëri duhet të jetë krijimi i një ‘shoqërie të dijes’, e një ‘shoqërie që mëson’. Kjo është premisa themelore që mundëson zhvillimin e bazës teknologjike industriale, si motor i rritjes ekonomike
Nga Fadil Sahiti
Tema se si të promovohet rritja ekonomike e një vendi ka qenë në ballë të diskursit dhe kërkimit shkencor ekonomik që nga publikimi i librit ‘Pasuria e Kombeve’ nga Adam Smith në 1776. Në këtë diskurs roli i tregut në përcaktimin e çmimit të mallrave, si dhe në shpërndarjen e burimeve ekonomike, është shumë më pak i kontestuar. Kjo nuk mund të thuhet edhe për rolin e qeverisë në zhvillimin industrial dhe ekonomik të një vendi. Dhe, roli i qeverisë në zhvillimin industrial dhe ekonomik në shumë vende të botës së zhvilluar nuk ka qenë i vogël, përkundrazi. Është qeveria ajo që, siç thekson Stiglitz (2015), nëpërmjet politikave, përshkruan rregullat e lojës së një ekonomie, si dhe strukturon tregjet dhe ekonominë në përgjithësi.
Edhe pse njohuritë tona për ndikimin e politikave në ekonomi janë rritur me kalimin e kohës, shkenca ekonomike vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme metodologjike për të gjetur një levë të politikave vepruese që mund të çojë në rritjen ekonomike të një vendi. Në fakt cila mund të jetë kjo levë, apo a ekzistojnë leva të tilla? Dua të theksoj që në fillim se qëllimi i këtij cikli të shkrimeve të mia nuk është t’i ligjëroj qeverisë/ve se cilat politika industriale duhet përshtatur. Më shumë dua të ofroj një qasje ndryshe karshi orientimeve strategjike të politikave industriale, veçanërisht atyre investive.
Të dhënat empirike sugjerojnë se, ndër të tjera, zgjedhja e politikave joadekuate është arsyeja kryesore pse vendet në zhvillim, si këto tonat, nuk arrijnë të kapin hapin e zhvillimit me vendet industriale. Politikat industriale shpesh zgjedhen dhe zbatohen pa koordinim të plotë midis qeverisë, komunitetit të biznesit dhe mendimit akademik. Ky tension komunikimi, apo ky “kurth” në mes të këtij trinomi ka bërë që politikat e aprovuara të jënë të ‘kapura’ nga individë dhe grupe joformale. Evitimi e këtij kurthi është sfidë. Megjithatë, literatura akademike ofron udhëzime se si të zbutet ose shmanget ky ‘kurth’. Ka ndoshta pak vende të ngjashme si Kosova dhe Shqipëria që duhet t’i kushtojnë vëmendje udhëzimeve të dhëna nga kjo literaturë.
Ndikimi i dijes shkencore në hartimin e politikave në vendet tona është pothuajse inekzistent. Kjo jo aq për fajin e politikës, sa për fajin e vet akademikëve, konformizmit të tyre. Ndërkaq, dihet ndikimi i kësaj dije në zhvillimin industrial dhe ekonomik të vendeve të zhvilluara. Mirëqenia dhe prosperiteti ekonomik që sot gëzojnë këto vende është edhe si rezultat i rritjes së shkencës, në mos kryesori. Transformimi në një “shoqëri të dijes” që ka filluar të ndodhë në vendet perëndimore që nga vitet 1800, ose kjo që ka ndodhë në vendet e Azisë Lindore në fund të shekullit të kaluar, ka pasur një ndikim të madh në rritjen e mirëqenies në këto vende.
Prandaj, leva kryesore e politikave vepruese në Kosovë dhe Shqipëri duhet të jetë krijimi i një ‘shoqërie të dijes’, e një ‘shoqërie që mëson’. Kjo është premisa themelore që mundëson zhvillimin e bazës teknologjike industriale, si motor i rritjes ekonomike. Raporte të ndryshme ndërkombëtare (Banka Botërore, BERZH, OECD etj.) theksojnë se as Kosova dhe as Shqipëria nuk njihen për inovacione teknologjike. Krejt teknologjia industriale është e importuar. Fokusi ynë duhet të jetë se si ta përdorim këtë teknologji në mënyrë efikase. Kjo kërkon investime – jo vetëm financiare – në arsim, gjenerim njohurish, si dhe rritje të kapabiliteteve teknologjike. Kjo është e vetmja mënyrë që të jep shpresë se një ditë Kosova dhe Shqipëria do të krijojnë një bazë solide të teknologjisë industriale, temë që do mundohem ta trajtoj në një shkrim tjetër.
/Autori është profesor i menaxhmentit dhe ndërmarrësisë në Universitetin RIT të Kosovës (AUK). Së fundmi ka botuar: “Industrial Policies for Technological Upgrading in Western Balkan Countries: Economic Growth and Development”, Springer, Palgrave Macmillan, 2024
/Gazeta Express