Si është puna me kosovarët emigrantë? A funksionon në rastin tonë korniza shpjeguese mbi superpopullsinë dhe zhvillmin e pabarabartë? Sipas EUROSTAT, vetëm në periudhen kohore 2018-2022 nga Kosova drejt vendeve të BE-së kanë marrë leje-qëndrime 153.708 qytetarë
Zgjim Hyseni
Kush është ikanaku? Kush janë ikanakët? Kjo mund të jetë një mënyrë për ta hapur debatin mbi migrimin, në Kosovë e gjetiu. E nisim në njëjës. Mbase kemi të bëjmë me dëshira personale për realizim. Me talente të veçanta, singularitete që nuk iu mjafton Kosova, ose mundësitë që ofron cilido vend i origjinës. Për profesion ose për atraksion, në këtë rast migrimi mund të quhej ushtrim lirie. Çfarë të themi në rastin kur kemi shumë ikanakë? Shpesh shohim që të gjithë lëvizin drejt të njëjtit vend. Edhe punët që bëjnë janë punë me mungesë punëtorësh në vendin pritës. Shumë ikanakë, por ikja duket një sepse uniforme. Kështu, struktura tregon se ata plotësojnë boshllëqe të ekonomisë më parë sesa të jenë lulëzimet e veçanta në një mozaik utopie nomade. Teksa shqyrtojmë pyetjen, na imponohet si temë edhe natyra e largimit. Mund të jetë ajo guxim aventure, apo shtrengesë strukture? Do të punësojmë qasje historike, do të shohim poashtu lidhshmëritë e fenomenit me ekonominë, shtetin e dhunën.
“…delet i hanë njerëzit.”, kjo është fraza e marrë nga “Utopia” e Tomas Morit, përmes të cilës autorë e studiues karakterizojnë procesin e gardhimit në Angli. Coha prodhohej prej leshi, e leshit i kishte hipur çmimi. Për prodhimin masiv të leshit duhej gjithë toka kullosë për delet. Duhej fusha e paanë, e zbrazët, pa fshatarët e vegjel që punonin tokat. Kështu, leshi dëbon njerëzit. Delet brenda, njerëzit jashtë. Bëhet fjalë për migrimin masiv që ka krijuar kushtet për çfarë sot quajmë marrëdhënie kapitaliste e punës: punë me mëditje dhe kapital. Kjo marrëdhënie ka si kusht dy shtresa shoqërore të polarizuara: punëtorin e “lirë” nga prona, pra mjetet e prodhimit, dhe kapitalin financiar të akumuluar e gati për investim në duart e tregtarëve a ndërmarrësve. Shkëputja nga toka dhe zhvendosja në qytet liroi një ushtri njerëzish që kishin veç rroba në trup dhe krah punë “të lirë” për t’u pajtuar me pagë. Ky migrim masiv që vjen nga shpronësimi, në teorinë ekonomike mban emrin akumulimi primitiv i kapitalit. Ky është milioni i parë, mëkati fillestar, prejardhja që s’duam ta kujtojmë sepse gjithnjë e ndeshim një krim. Akumulimi si zaptim i paraprin gjithandej akumulimit si eksploatim. Migrimin e gjejmë në të dy anët kusht për qerthullin riprodhues: pasojë e shpronësimit, kusht për eksploatimin.
Raporti me ekonominë si marrëdhënie shoqërore na del një faktor kyç. Por, lëvizjet e popullsisë janë një fenomen i vjetër sa vetë mundësia për historicizim. Po aq ndikim që nga lashtësia duket se ka pasur ndërveprimi midis migrimeve e veglave të reja. Nëse migrimet drejt fushave sollën diçka si parmenda, një mjet që solli mënyrë të re prodhimi, shpikja e rrotës ka mundësuar aq mundësi të lëvizjes sa ka ndryshuar vetë përceptimin tonë mbi hapësirë e kohë.
Një tjetër faktor në lëvizjet e popullsisë është politika si dhunë shtetërore. Pushtimet e luftërat civile kanë shkaktuar dëbime e kolonizime. Kjo ka sjellur kontakte të panjohura më heret midis popullsive nga gjeografi, kultura e ngjyra të ndryshme. Ky është momenti kur ndeshet Tjetri. Kështu lindin marrëdhënie të reja midis njerëzve, bashkë me to edhe nocione të reja mbi politikën. Vendasi, i huaji, qytetari, apatridi, alieni – këto nocione kanë në qendër kufirin si objekt prej nga fillon dhuna e organizuar mbi pranueshmërinë e trupave në territor. Kritere e standarde të normuara nga shteti shpërndajnë tapi, japin leje qëndrimi, status refugjati e shtetësi.
Historia e këtyre shkaqeve mund të përvijohet si prejardhje edhe në ndarjen kryesore që mbizotëron sot: refugjati dhe emigranti. Refugjati përkufizohet si person që është i detyruar dhunshëm të largohet nga vendi i origjinës. Kjo përgjithësisht ndërlidhet me regjimet totalitare ose luftërat e brendshme. Përkufizimi i refugjatit është i rregulluar ndërkombëtarisht dhe gjen zbatim në gjithsej 145 shtete nënshkruese të Konventës për Refugjatin dhe Protokollin shtesë. Emigranti në anën tjetër nuk gjen normim as zbatim uniform ndërkombëtar. Ai nuk gëzon mbrojtje e të drejta pavarësisht shtetit. Një shpjegim i përgjithshëm i përshkruan ata si persona që lëvizin nga një vend në tjetrin, për punë, kushte jetese e edukim më të mirë. Dallimi kryesor është detyrimi. Emigrantët nuk janë të detyruar të largohen forcërisht, dhe nuk do të ekspozoheshin para rreziqeve nese marrin vendim të kthehen. Kjo ndarje është e ndërlidhur me një përkufizim të ngushtë të dhunës. Gjithçka që nuk është përdorim direkt i forcës, dhunë subjektive e ushtruar nga një agjent i jashtëm, na del të jetë zgjedhje e lirë, mbretëri e vullnetit. Kjo qasje nuk merr parasysh shpronësimet, as dallimet e medha midis zonave gjeografike të shkaktuara nga zhvillimi i pabarabartë. Me këtë qasje ta zëmë s’do të kemi si t’i trajtojmë as refugjatët e klimës. Mungesa e një trajtimi politik, por edhe diskursiv mbi emigrantin si subjekt i dhunuar sepse i përjashtuar e i shfrytëzuar, po krijon hapësirë për një dhunë tjetër. Kjo është dhuna që vjen nga e djathta neofashiste.
Le t’i shohim fillimisht shkaqet strukturore të ekonomisë dhe marrëdhëniet e punës. Zhvillimi i teknologjisë ka rritur fuqinë prodhuese të punës, duke mundësuar prodhim më të madh për më pak kohë. Produktiviteti i teknologjisë mundëson rritjen e fitimit, jo më duke shtuar orët e punës, por me më pak sish. Kjo është mbivlera relative. Ky fenomen, bashkë me efektet e konkurrencës e krizat ciklike të kapitalizmit e lë një pjesë e popullsisë gjithnjë pa punë. Kjo është ushtria rezervë e industrisë, superpopullsia. Pa dyshim, një pjesë e madhe e emigracionit është pjesë e superpopullsisë. Kjo kategori qyshkur është quajtur “armë” në duart e kapitalit. Analizuar bashkë me migrimin masiv, ajo është bërë disi armë me dy tyta. Tyta e parë lidhet me efektin ekonomik. Konkurrenca, nga ajo midis kapitalistëve siç e njohim rëndom, zbret midis punëtorëve. Të papunët janë mjet shantazhi në duart e punëdhënësit përballë kërkesave të punëtorëve. Është gjithë ajo ushtri që po e pret në radhe rastin për t’u shfrytëzuar. Këtu shpesh vjen në shprehje arma e quajtur grevëthyerje. Ata punësohen pikërisht në kohë greve për t’i zëvendësuar grevistët. Kur të papunët janë emigrantë, veç kësaj vjen edhe tyta e dytë. Nuk është thjesht efekti në ekonomi, ata përdoren si justifikim nga grupime e parti neofashiste për artikulim politik. Tjetri, i huaji është material i përshtatshëm për konstrukt ideologjik. Gjendet një shenjues i zbrazët që absorbon kuptime e apelon tek evropiani i mesëm e i atomizuar, në fakt gjithnjë e më i rrezikuar nga varfëria. Janë të huajt që po na e marrin punën dhe keqpërdorin sistemin tonë social, janë ata burimi i delikuencës e pasigurisë. Kështu, fragmentimet e kontradiktat e brendshme të shoqërive jashtësohen në një fajtor kujdestar. Emigrantët dhe kapitalizmi bashkohor janë një fabrikë sociale që gërryen përbrenda. Në njëren anë ata i duhen prodhimit e korporatave,andaj politikat e shteteve edhe kur nuk janë pozitive, janë toleruese. Ekonomikisht prej tyre nxjerret fitim, politikisht përmes tyre prodhohet ksenofobi për të ushqyer grupime neofashiste.
Si është puna me kosovarët emigrantë? A funksionon në rastin tonë korniza shpjeguese mbi superpopullsinë dhe zhvillmin e pabarabartë? Sipas EUROSTAT, vetëm në periudhen kohore 2018-2022 nga Kosova drejt vendeve të BE-së kanë marrë leje-qëndrime 153.708 qytetarë. Shumica dërmuese e tyre destinacion kishte Gjermaninë. Për ta parandaluar rënien demografike dhe për të plotësuar nevojat e ekonomisë, në vitin 20015 Gjermania ka miratuar Rregullore të re për t’i hapur rrugë e motivuar punëtorët nga Ballkani Perendimor. Kjo rregullore nuk specifikonte shumë. Mjafton një oferte e vlefshme pune, s’ka rëndësi e kualifikuar apo jo. Si rezultat i kësaj rregulloreje, fluksi i qytetarëve të Ballkanit Perendimor drejt Gjermanisë u rrit me 120%. Serish, vetëm në ndërtimtari e punët e mjeshtrisë janë 1.7 milionë vende pune të lira. Profesionet e munguara janë të ndryshme, nga mjeku e inxhinieri, tek marangozi, edukatori e infermieri. Një diplomë dhe pak vullnet, për tjerat paguan punëdhënësi nga Gjermania. Shiheni qytetin, kurse gjuhësh, kurse kodimi, kolegje infermierësh – jemi tranzit drejt Gjermanisë. Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, vetëm në vitin e kaluar nga Kosova drejt Gjermanisë kanë migruar 150 mjekë, kurse për 7 mujorin e parë të vitit të kaluar ikën 400 infermierë. Kostoja minimale e përgatitjes së një mjeku në Gjermani mbërrin shifrwn prej 200 mijë eurosh. Një llogari e thjeshtë na thotë se janë 30 milionë për mjekët dhe afërsisht 10 milionë për infermierët kosto që Gjermania ndryshe do të duhej t’i shpenzonte. Kosova e varfër me paratë e taksapaguesve të saj ka financuar sistemin shëndetësor të shtetit, PBB i të cilit radhitet i katërti në botë. Ikja e trurit, në një analizë marrëdhëniesh ekonomike na del të jetë një emër tjetër për shfrytëzimin. Për përgatitjen e aftësimin e shumicës së kosovarëve punëtorë në Gjermani paguan ende sistemi publik i Kosovës.
Për shumë mjekë, inxhinierë apo tjerë profesione, ky trend ka qenë mundësi zhvillimi, aftësim e karrierë e mirë. Sigurisht, s’kemi pse i gjykojmë. Do t’i përgjigjemi pozitivisht edhe të gjitha thirrjeve që flasin për sistem më të mirë social këtu; për politika që përfshijnë diasporën në zhvillim; për sigurime shëndetësore; për arsim cilësor. Po, të gjitha duhet t’i bëjmë. Por, sërish një pyetje më mbetet sikur objekt i fortë, si kokëfortësi e strukturës: çfarë t’i bëjmë hendekut? Në kohen kur ne i bëjmë të gjitha këto, të tjerët s’do të rrijnë, apo jo? As migrimi nuk do të rrijë. Pata dëgjuar njëherë, më duket pas krizës greke të diskutohej për page minimale në nivel evropian. Dreq, jemi larg me integrimin. Mbase mund të jemi një land i Gjermanisë…