Ndonëse shtet mosnjohës i pavarësisë së Kosovës, delegacioni i Bosnje-Hercegovinës, përkatësisht drejtuesi i tij Sasha Magazinoviq ka njoftuar se do të votojnë për raportin rekomandues të Dora Bakoyanis ku ftohet për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Sot në Strasburg, ne do të japim mendimin tonë mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Nëse adoptohet ky opinion, atëherë e vendos skenën për vendimmarrjen finale në Komitetin e Ministrave ku shtetet anëtare përfaqësohen nga ministrat e jashtëm ose përfaqësuesit permanent në Strasburg”, ka shkruar ai në “X”.
Njoftimi i plotë:
ANËTARËSIMI I KOSOVËS NË KËSHILLIN E EVROPËS
Sot në Strasburg shprehim mendimin tonë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Nëse miratojmë këtë opinion, supozohet që të merret një vendim përfundimtar në mes të majit, i cili është nën autoritetin e Komitetit të Ministrave ku shtetet anëtare përfaqësohen nga ministra të jashtëm ose përfaqësues të përhershëm diplomatik në Strasburg.
Unë do të votoj duke u bazuar në bindjen se të gjithë qytetarët e Kosovës i meritojnë mundësitë e ofruara nga Këshilli i Evropës, që si shqiptarët, edhe serbët dhe të gjithë të tjerët më në fund të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të jetuar në një shoqëri më të avancuar demokratikisht sesa është sot dhe për të ndjerë përparim në shtetin e së drejtës.
Vetë opinioni thotë se votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare individuale lidhur me statusin e Kosovës.
Dëshiroj që Bosnja dhe Hercegovina ta konfirmojë sa më shpejt marrëveshjen nga procesi i Berlinit, e cila parasheh lëvizje vetëm me letërnjoftime në rajonin tonë, dhe në këtë mënyrë t’i afrojë qytetarët e Kosovës dhe vendit tonë, si shtetet tjera. duke përfshirë edhe Serbinë, kanë bërë tashmë.