Halil Çadraku e ka filluar dëshminë e tij të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjatë dëshmisë së tij, Çadraku ka thënë se FARK-u është krijuar për të sabotuar luftën.
“FARK-u ka lindur për ta na e sabotuar luftën. Ashtu kam menduar dhe ashtu mendoj edhe sot”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për sektorin e Zbulimit dhe atij të Kundërzbulimit në Zonën Operative të Pashtrikut, Çadraku ka thënë se pjesë të strukturave serbe ka pasur edhe shqiptarë, të cilët i ka quajtur më të rrezikshëm sesa vetë forcat ushtarake serbe.
“Kundër-zbulimi kishte detyrë që të ruante territorin, që të ruante vendet ku ishim ne, nga elemente jo të uniformuar po që ishin ndoshta edhe më të rrezikshëm se forcat ushtarake të armikut. Elementi jo i unformuar që i shërben kundërshtarit apo armikut kanë mundur të jenë vetë punëtorët e atyre shërbimeve që operonin në Kosovë, se në atë kohë kishte shumë shërbime edhe brenda okupatorit serb, i cili ishte shumë i sofistikuar dhe ka përdorur të gjitha mjetet e mundshme e edhe civilët për të zbuluar e për të ditur se çfarë forca kishin UÇK-ja në fshatrat ku ishim të stacionuar, kanë mundur të dërgonin vëzhgues në formë civile që ta numërojnë sa veta jemi, kah i kemi të forcat tona, kah i kemi fjetoret, pjesën e armatimit. Ne nuk kishim njohur paraprakisht se kënd do ta dërgonin, por ruheshim nga ata që veç ishin të potencuar dhe që punonin dhe ishin në shërbim të forcave jugosllave dhe që ishin shqiptar e që kishte shumë”, është shprehur ai.
Ai tutje ka akuzuar disa persona për bashkëpunim me forcat serbe, për të cilët ka thënë se nuk i njeh vetëm vendi, por ndoshta edhe vetë Gjykata.
“Sigurimi shtetëror në vendet ku kam jetuar unë; Rahovec, Prizren e vende të tjera, të gjithë pjesëtarët e UDB-së kanë qenë shqiptarë. Brenda UDB-së ka pasur disa, p.sh., veç Prizreni i ka pasur 10 apo 12, të gjithë ishin turpërisht shqiptarë, për të cilët më vjen turp mua për ta, e ndoshta ata sot ndjehen krenarë për atë çfarë kanë bërë, por kanë qenë pjesë e UDB-së deri vonë. Janë me emra dhe mbiemra, i njeh Rahoveci, i njeh Kosova, i njeh bota, i njihni edhe ju ndoshta”, ka theksuar ai.
Dëshmitari është pyetur lidhur me një letër që ia kishte dërguar shoferit të Bislim Zyrapit, që ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm, ku ankohet për qasjen që kishte në luftë, komandanti i Zonës së Pashtrikut Ekrem Rexha, i njohur si “Drini”. Çadraku tha se eprorët e tij kishin metoda defensive, me të cilat ai nuk pajtohej.
“Perceptimi im i luftës dhe perceptimi i eprorëve që ishin me karrierë ndoshta kanë ndryshuar pak. Unë isha më ndryshe, kisha një shpirt iniciative, mospuna apo mënyra defensive e atyre eprorëve që ishin me ne ndoshta më pengonte, nuk e adhuroja atë lloj të punës. Në vazhdën e kësaj unë kam kërkuar nga Shtabi i Përgjithshëm që të ndikojë për ta përshpejtuar dhe rritur cilësinë e punës dhe cilësinë e organizimit”.
Prokurori James Pace lexoi një artikull të datës 9 mars 2017, me autor Halil Çadrakun, të cilin e ka shpërndarë në Facebook edhe Sadik Halitjaha.
“Këtij artikulli i qëndroj prapa në çdo pikë dhe në çdo presje”, tha Çadraku.
“Marsi i shqiptarëve, marsi i Jasharëve, marsi i demonstratave, marsi i kuq, marsi, marsi, marsi… Sot do të shkruaj për marsin e vitit 1999, ishte marsi më i përgjakshëm në historinë e shtetit dhe popullit tonë. Me 18 mars nënshkruhet marrëveshja e Rambujesë, me 24 mars fillojnë bombardimet, por sot do të shkruaj për një dezertim të një FARK-isti, Sylejman Kollçaku, i cili ishte zv.komandant në Zonën e Pashtrikut. Në atë kohë komandant kishim Ekrem Rexhën – Drinin, ishte një ngjarje si një njollë historike e cila i dha udhë FARK-ut dhe qëllimi kryesor i “institucioneve” ishte sabotimi i luftës, kjo ishte e dyta për nga pesha e rëndësisë menjëherë pas ikjes së komandantit, zotëri Tahir Zemajt”, lexoi prokurori Pace. “E kam shkruar atëherë edhe sot e mendoj që kanë qenë të tillë. Sepse mungesa e tyre, mungesa e punës së tyre, mungesa e ndihmës së tyre, mungesa e angazhimeve të tyre operacionale në drejtim të luftës, në drejtim të ndihmës ndaj nesh, neve kishim nevojë edhe për një qen, edhe për një kali, edhe për gomar që t’i transportonim armët dhe ata, në ato vite qëndronin në Tiranë, mbi 5000 pjesëtarë të forcave të FARK-ut ishin të instaluar nëpër Tiranë e Shqipëri e nuk e shihnin të arsyeshme të hynin, të na ndihmonin, apo të na armatosnin”.
Çadraku, i cili po përfaqësohet nga avokati Arianit Koci në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, mban kodin 03873 dhe është dëshmitari i 107-të me radhë në këtë proces.
Ai tutje i ofroi mundësi dëshmitarit që të dëshmojë në seancë të mbyllur që dëshmia e tij nuk do të dëgjohet për publikun, megjithatë Çadraku ka vendosur të dëshmojë në seancë të hapur.
Bislim Zyrapi gjatë dëshmisë së tij në muajin korrik ka thënë se Sadik Halitjaha dhe Halil Çadraku e akuzonin Ekrem Rexhën, i njohur si komandant “Drini”, por edhe vetë Zyrapin se ishin të rekrutuar nga FARK-u, formacion i armatosur nën komandën e Qeverisë në ekzil.
Ndërkaq, Sadik Halitjaha në dëshminë e tij, ka thënë se ai bashkë me Vesel Maliqin dhe Halil Çadrakun e përbënin zinxhirin komandues të Zonës Operative të Pashtrikut. Çadraku është përmendur edhe në gjykimin e Sali Veselit lidhur me akuzat për vrasjen e Ekrem Rexhës.