Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar se do të merr pjesë në takimin e ftuar nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për të diskutuar në Bruksel me palën serbe rreth çështjes së ndalimit të valutës serbe (dinarit) si mjet i ligjshëm pagese në Kosovë, kanë konfirmar nga BQK në një përgjigje me shkrim për Nacionalen.
Çka bën me dije në start është se, sipas tyre, takimi do të jetë “informues” dhe jo negociues në kuptimin e rregullores së amandamentuar të BQK-së dhe se me Bankën Popullore të Serbisë janë të gatshëm për të biseduar “fasilitimin (lehtësimin)” në përzgjedhjen e opsionit “më të lehtë” të pagesave për komunitetin serb – duke e specifikuar edhe valutën që më jo në dinar, por në euro.
BQK shprehet se qysh më parë kanë shprehur gatishmërinë për t’u takuar me Bankën Popullore të Serbisë për të, siç thanë ata, “fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)”
“Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Çka ka thënë pushteti?
Çështja e dinarit “është e panegociueshme nga politikanët“, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu referuar rregullores së amandamentuar të Bankës Qendrore e cila ndalon valutën serbe si mjet të ligjshme pagese në Kosovë, duke e dhënë si “vendim të pavarur” për të cilën “nuk e kam pasur idenë” që po mirret nga BQK-ja.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar se takimet që kishte me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaras – saktësisht për çështjen e dinarin – “fakeqësisht, nuk patën sukses”.
Në anën tjetër, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dërguar ftesa palëve për një takim të nesërmen (e martë, 27 shkurt) në lidhje me çështjen e valutës serbe – për çka, kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, ka njoftuar se ka refuzuar ftesën; por duke mos e mohuar pjesëmarrjen e dikujt nga ana e palës kosovare vetëm se jo në dimenzionin politik.
Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij me një grup eskpertësh serbë në takimin e së nesërmes të ftuar nga Miroslav Lajçak.
Opozita kundër negocimit të çështjes së dinarit: “Punë e brendshme e Kosovës”.
Qysh në nisjen e këtij vendimi, opozita kosovare ka shprehur brengën e tyre se mos kjo çështje e brendshme e Kosovës përfundon në tryezën e dialogut të Brukselit, dhe kësisoji duke përfunduar sërish në koncesione dhe kompromise nga pala kosovare.
Konsensusi i plotë opozitar është se çështja nuk duhet të diskutohet në nivel politik.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, në një intevistë për Kosovapress, madje e dha për punë të kryer se tashmë qeveria – duke provuar të korrë poena politike mbi baza “populliste” – veçse e ka bërë temë në dialog me Serbinë një çështje të brendshme të Kosovës.
“Po t’i lihej në dorë BQK-së ose po të mos përzihej qeveria me tendenca që të nxjerr këtë çështje me populizëm si një sukses të qeverisë, kjo do të zgjidhej më mirë. Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje. Për më tepër e ka ngritur çështjen e dinarit si një çështje të dialogut”, ka thënë Pajaziti.
“Kjo qeveri ka përgjegjësi të plotë që dinarin, e bëri temë të tillë, e cila po i kushton qeverisë dhe neve si vend. Këta sikur edhe herët të tjera, kanë hyrë në tema pa një marrëveshje me partnerët, ata që ne kemi pas vazhdimisht koordinim të plotë dhe pastaj tërheqja na ka kushtuar shumë”, shton ai.