Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se periudha tre muajshe kalimtare për çështjen e dinarit është përmbyllur, por askund nuk thuhet gjë për dënime të atyre që s’e përfillin rregulloren e BQK-së për euron si “mjet të vetëm të ligjshëm pagese” që supozohet që de-jure të ndalojë dinarin të përdoret si mjet pagese në Kosovë.
BQK thotë se janë licensuar tetë të institucioneve financiare në vendbanime të banuara me shumicë serbe, si që janë vendosur “38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimin financiar”.
Komunikata e BQK-së:
Janë licencuar tetë (😎 degë/zyra të institucioneve financiare;
Një (1) zyrë bankare/degë në Leposaviq
Një (1) zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq
Gjashtë (6) zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare:
Një (1) në Leposaviq
Një (1) në Zveçan
Dy (2) në Graçanicë
Një (1) në Shtërpcë
Një (1) në Shillovë, Gjilan
Janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar;
Janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking);
Janë dhënë afër 11 milionë euro kredi.
Gjatë kësaj periudhe transitore tashmë të përmbyllur, BQK-ja në kuadër të edukimit financiar, ka organizuar kampanja informuese, siç është Manuali për Pyetjet dhe Përgjigjet e Shpeshta mbi Rregulloren, dërgimi i SMS-ve informuese, publikimi i sqarimeve dhe njoftimeve në webfaqe dhe në të gjitha rrjetet sociale të BQK-së, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.
Zgjerimi i qasjes në financa, përfshirja financiare, edukimi financiar dhe mbrojtja e konsumatorit do të jenë aktivitete dhe angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane, si objektiva të Planit Strategjik të BQK-së, me fokus në zonat pjesë e Planit të Lehtësimit të Zbatimit të Rregullores. Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase te qytetarët e Republikës së Kosovës, përmes llogarive bankare mbi bazën e rregullores në fuqi.