Këtë vit pritet që 18 shtete anëtare të NATO-s të shpenzojnë dy për qind të bruto produktit të brendshëm (PBB) në mbrojtje, që është shifër rekorde, ka thënë të mërkurën sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
Njoftimi i tij vjen një ditë pasi ish-presidenti amerikan Donald Trumpi është shprehur se do ta linte Rusinë të bënte çfarë të donte me anëtarët e NATO-s që nuk ndajnë 2 për qind të bruto produktit të brendshëm për mbrojtje. Këto deklarata u dënuan nga anëtarët dhe presidenti amerikan Joe Biden.
NATO ka 31 anëtarë. 18 prej tyre që nuk e përmbushin këtë objektiv, përfshirë Shqipërinë, ndërsa 11 po. Luksemburgu nuk llogaritet për shkak të territorit të vogël, ndërsa Islanda nuk ka forca të armatosure.
Por Stoltenbergu pret që ky numër të rritet në 18.
“Që nga viti 2014, numri i anëtarëve të NATO-s që ndajnë dy për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen është rritur gjashtë herë. Këtë vit, unë pres që 18 aleatë të shpenzojnë dy për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen, që është rekord i ri dhe rritje gjashtëfish nga viti 2014, kur vetëm tre anëtarë e arritën këtë qëllim”, ka thënë ai.
Sekretari i Përgjithshëm ka theksuar se anëtarët evropianë do të investojnë gjithsej 380 miliardë dollarë në mbrojtje, që është dy për qind e PBB-së së tyre, por shtoi se një pjesë tjetër e anëtarëve, që shpenzojnë më pak se dy për qind, duhet të fillojnë të ndajnë më shumë për mbrojtjen.
Stoltenbergu ka thënë se në takimin e ministrave e Mbrojtjes do të diskutohet për përshpejtimin e mëtejshëm të prodhimit të municioneve dhe se vetëm në muajt e fundit NATO-ja ka nënshkruar kontrata në vlerë prej 10 miliardë dollarësh. Ndër të tjera, Gjermania këtë javë nisi ndërtimin e një fabrike të re municionesh, e cila kur të arrijë kapacitetin e plotë të prodhimit, do të prodhojë 200 mijë predha artilerie në vit.