Aprovimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova t’i blejë raketat Javelin, po vazhdon të komentohet edhe më tutje nëpër media të huaja. Së fundi, një artikull rreth kësaj situate, e ka publikuar edhe mediumi i njohur “Bloomberg”.
“Bloomberg” fillimisht citon deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës që vendi do të mbrohej më mirë me këto raketa anti-tank të ShBA-së, katër muaj pas sulmit në veri të vendit.
“Të gjitha këto sisteme, janë marrë për të krijuar kapacitete të mjaftueshme për Kosovën, që ta mbrojë vetën në rast të një pushtimi – apo ndonjë kërcënimi tjetër” – citohet ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
A mund të rriten tensionet?
Megjithatë, mediumi i njohur thekson që blerja e këtyre raketave, ka shkaktuar protestë te autoritetet serbe.
Sipas artikullit, “një zhvillim i tillë mund të përkeqësojë tensionet mes dy vendeve, duke përmendur që përpjekjet e ndërkombëtarëve për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit “kanë dalë të shkurtra”.
Po ashtu tutje përmendet që tensionet janë thelluar edhe më shumë, pas sulmit terrorist në Bajnskë të Zveçanit, ku mbet i vrarë zyrtari policor kosovar, Afrim Bunjaku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk kanë bërë progres, dhe nuk ka pasur takim të tyre pavarësisht përpjekjes që një gjë e tillë të realizohej gjatë një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian gjatë muajit tetor të vitit të kaluar.
Ndërkohë, vlen të theksohet se mediumi i njohur kroat, “Večernji list”, e ka lidhur këtë edhe më situatën në Ukrainë.
Në një artikull të publikuar para pak ditëve, qysh në titull thuhej: “Amerika, nga frika e skenarit ukrainas, i shiti Kosovës sistemet që ndaluan tanket ruse përballë Kievit”.
Ky medium, në një artikull kushtuar këtij zhvillimi, fillimisht, tregoi që Departamenti i Shtetit ka aprovuar kërkesën për blerjen e 264 raketave të këtij lloji.
Tutje, përmendej Ukraina:
“Kujtojmë që me sisteme të tilla forcat ukrainase shtypën valën e parë të pushtimit rus, kur pamë të shtëna mjaft spektakolare të armaturës së shkatërruar ruse, dhe pushtimi në ato ditë të parë, dështoi e më pas u shndërrua në një luftë shkatërrimi…”.
Mediumi i njohur ka përmendur që blerja e këtyre raketave nga Kosova, ka shkaktuar shumë reagime në Serbi.
“Ashtu siç ka gjithmonë ndodhë nëpër Serbi, kjo ngjarje nuk është e izoluar. Vjen, për shembull, pas deklaratës së Aleksandër Vuçiqit se Serbia ka të gjithë forcën tankiste, kryesisht të marrë nga Rusia para pushtimit, por nuk ka fuqi punëtore për këto tanke. Ai përmendi gjithashtu se blerja e armëve do të vazhdojë, nga Kina dhe vende të tjera, do të jenë sisteme kundërajrore, avionë luftarakë dhe dronë.” – thuhet tutje.
Ndryshe, sistemi raketor “Javelin” është përdorur nga ushtria ukrainase për të shkatërruar tanket ruse dhe automjetet e tjera të blinduara.
Ndërkohë, konfirmi i DASh-it për aprovimin e blerjes së këtyre raketave, ishte si vijon:
“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”.