Një nga lajmet e ditës sot ishte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën nga shteti kosovar për blerjen e sistemin raketor të famshëm “Javelin”, ndërkëaq ndaj kësaj ka reaguar Kryetari i Aleancës , Ramush Haradinaj, duke e quajtur gjë “të vonuar me vite” teksa rikujtoi se në vitin 2018 kur kishte kaluar plani 10 vjeçar për FSK-në në ushtri “kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm!”.
Reagimi i Haradinajt:
Po lexoj se si Kosova paska bërë kërkesë Shteteve të Bashkuara për të blerë raketa anti-tank Javelin. Lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite!
Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm!
Kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë! Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në!