Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur fajtor të akuzuarin, Kadri Batusha, i cili sot është dënuar me 3 vite burg për mashtrim, shkruan Insajderi.
Batusha ishte i akuzuar se ka mashtruar kosovarin që jeton në Zvicer, Nexhat Zejnullahu, due ia marrë mbi 90 mijë euro për një banesë, por banesën nuk ia dha kurrë. Edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë te premten e gjeti fajtor për mashtrim, duke e dënuar me 3 vite burg efektiv, megjithatë palën e dëmtuar e la që të shkoi në kontest civil për t’i marrë paratë që ia kishte dhënë Batushës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 dhjetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër Kadri Batushës, sepse më 16 maj 2014 në Prishtinë, është inicuar rasti kundër të njëjtit, me arsyetimin se ka vepruar në atë mënyrë që me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Nexhat Zejnullahu, duke e shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Aktakuza thotë se i pandehuri Batusha duke fshehur faktet e ka bindur të dëmtuarin që të bëjë kontratë mbi shitblerjen e banesës, e cila ishte planifikuar të ndërtohet në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, me sipërfaqe prej 129,00 metra katrorë, me një çmim kontraktues prej 90 mijë e 300 euro.
Tutje, akti akuzues thotë se i dëmtuari i ka besuar të pandehurit pas prezantimit të lejes së ndërtimit dhe planit të banesës, me ç’rast fillimisht në emër të çmimit kontraktues të pandehurit ia jep një veturë të tipit “Audi” në vlerë 25 mijë euro dhe 20 mijë euro para të gatshme.
Kurse, pjesën tjetër të mbetur të parave prej 45 mijë e 300 euro i dëmtuari ia kishte paguar të pandehurit dy javë më vonë edhe pse banesa në fjalë nuk është ndërtuar kurrë, me ç’rast i dëmtuari ka pësuar dëm material.
Me këtë, Batusha akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.