Në Bruksel sot do të mbahen takimet e radhës rreth çështjes së dinarit serb.
Kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq do të udhëtojnë atje për të gjetur një zgjidhje rreth dinarit, pagesat me të cilin, janë ndaluar në Kosovë.
Bislimi e Petkoviq do të kenë fillimisht takime të ndara me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ndërkohë, nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh.
Çka ndodhi javën e kaluar?
Gjatë javës që lamë pas, u mbajt takimi i pestë në Bruksel rreth pagesave me dinar. Kryenegociatori Bislimi e kishte konsideruar si “takim koti”.
Bislimi kishte thënë se pala serbe nuk shkoi në takim me ide për trajtimin e propozimit të emisarit, Miroslav Lajçak, të cilin Qeveria e Kosovës e ka përkrahur.
“Takim koti” – i kishte quajtur ai këto bisedime.
Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, sipas “N1”, kishte deklaruar se ata kanë pasur një propozim konstruktiv, e që mes tjerash, ka pretenduar se ky u vlerësua nga Brukseli:
“Ne dolëm me një propozim konstruktiv, ai propozim u vlerësua nga Brukseli, gjegjësisht (përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, si bazë solide për vazhdimin e bisedimeve, me të cilin edhe një herë treguam se jemi palë që kujdeset për një zgjidhje praktike.” – kishte thënë ai.
Kosova e përkrah propozimin e BE-së
Në takimin e para pak javësh, kryenegociatori Besnik Bislimi e kishte vlerësuar propozimin e emisarit Lajçak, duke thënë se i njëjti është konstruktiv dhe në rrugën e duhur drejt zgjidhjes.
“….Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së.” – kishte thënë Bislimi.
Për këtë, ai u lavdërua sot nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili nga gazetarët, pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani u pyet edhe mbi këtë çështje.
“….të jem i sinqrtë, vlerësojmë edhe deklaratën e z.Bislimi i cili ka thënë fjalë pozitive për një propozim të kompromisit. Këtë kemi shpresuar, ta shohim. Shpresojmë që kjo të zgjidhet për të dyja palët, dhe të vazhdojmë të flasim për gjëra të tjera kritike, për implementimin e plotë të Marrëveshjes Bazike.” – u shpreh ambasadori mes tjerash.