Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, sërish ka reaguar ndaj Behgjet Pacollit, deputet i AKR-së, në lidhje me bisedën me Milan Radoiçiqin, atëbotë i arratisur nga Kosova, e cila sipas Pacollit janë bërë në prezencë të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Kryeziu ka thënë se Kurti s’ka qenë i pranishëm.
“Edhe një herë, në asnjë bisedë telefonike që ka bërë deputeti Behgjet Pacolli me kriminelin Millan Radoiçiq, e të cilën ai vetë po e pranon, nuk ka qenë i pranishëm kryeministri Albin Kurti”, ka thënë Kryeziu.
Tutje, ai ka vlerësuar se Pacolli s’ka nevojë t’i arsyetojë komunikimet që ka mundur t’i ketë me Radoiçiqin.
“Z. Pacolli nuk ka nevojë t’i arsyetojë komunikimet që ka mundur t’i ketë me Radoiçiqin. Sepse tek e fundit ai ka qenë ministër i Qeverisë e cila është formuar me votat e Listës Serbe e për të cilat kanë pritur orë të gjata në Kuvend derisa ata kthehehin nga Beogradi. Ai ka qenë në koalicion me Listën Serbe të Radoiçiqit. Besoj që komunikimin e kanë pasur të rregullt me ta”, ka thënë Kryeziu për RTK-në.