Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka falur plotësisht dhe pa kushtëzime djalin e tij Hunter Biden, i cili ka probleme ligjore.
Falja ndodhi disa javë para se Bideni të largohet nga detyra dhe t’i transferojë pushtetin presidentit të zgjedhur, Donald Trump, i cili për disa vite e ka sulmuar Hunter Bidenin për çështjet e tij ligjore, shkruan The New York Times.
Vendimi i Bidenit është marrë të dielën mbrëma, disa kohë pasi këmbëngulte se nuk do ta përdorte fuqinë e zyrës së tij për të ndikuar në problemet ligjore të të birit, përfshirë një dënim federal për blerje të paligjshme të armëve, si dhe për evazion.
Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Bideni tha se ka vendosur të lëshojë faljen për djalin e tij “për veprat kundër Shteteve të Bashkuara që ai ka kryer ose mund të ketë kryer ose marrë pjesë gjatë periudhës prej 1 janar 2014, deri më 1 dhjetor 2024.”
Ai tha se e mori vendimin sepse akuzat kundër Hunter janë të motivuara politikisht.
“Akuzat në rastet e tij erdhën vetëm pasi disa nga kundërshtarët e mi politikë në Kongres i nxitën ata të më sulmonin dhe të kundërshtonin zgjedhjen time,” tha zoti Biden në deklaratë. “Asnjë person i arsyeshëm që shikon faktet e rasteve të Hunterit nuk mund të arrijë në ndonjë përfundim tjetër përveç se Hunter u veçua vetëm sepse ai është djali im – dhe kjo është e gabuar. Në përpjekjen për të thyer Hunterin, ata janë përpjekur të më thyejnë mua – dhe nuk ka asnjë arsye për të besuar se do të ndalet këtu. Mjaft është mjaft”, ka thënë Bideni.
“Shpresoj se amerikanët do ta kuptojnë pse një baba dhe një president do të merrnin këtë vendim”.
Pasi Bideni shpalli faljen, Hunter Biden lëshoi një deklaratë të tijën.
“Kam pranuar dhe kam marrë përgjegjësinë për gabimet e mia gjatë ditëve më të errëta të varësisë sime – gabime që janë shfrytëzuar për të poshtëruar dhe turpëruar publikisht mua dhe familjen time për sportin politik”, tha ai. “Unë kurrë nuk do ta marr si të mirëqenë mëshirën që më është dhënë sot dhe do ta kushtoj jetën që kam rindërtuar për të ndihmuar ata që janë ende të sëmurë dhe vuajnë”, ka deklaruar ai.