Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot mban seancën e radhës për Kosovën. Seanca fillon në orën 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës, respektivisht në ora 10:00, sipas kohës së New York-ut.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në SHBA për ta përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit, e cila do të përballet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Në seancën e KS të OKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu bëhet e ditur se përgjatë qëndrimit në New York, Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.
“Përgjatë qëndrimit në New York, Presidentja Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara. Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës, respektivisht në ora 10:00, sipas kohës së New York-ut”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Lidhur me përballjen Osmani-Vuçiq, ka shkruar në rrjete sociale edhe bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu.
Ai shkruan se presidentja Osmani përfaqëson demokracinë dhe lirinë ndërsa Vuçiq “mishëron autokracinë dhe përfaqëson një regjim gjenocidal”.
“Në orën 16:00 në KS të OKB-së, përgatituni për një përballje mes dy forcave dhe ideologjive të kundërta: Presidentes të Kosovës, që përfaqëson demokracinë dhe lirinë, kundrejt Presidentit të Serbisë që mishëron autokracinë dhe përfaqëson një regjim gjenocidal”, ka shkruar Sadriu.
Ndërsa, Vuçiqi ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj, pavarësisht “poshtërimit” që i është bërë deri më tani.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për Serbinë, për popullin tonë, për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, që të shkojmë me kokën lart, pa marrë parasysh se ata u përpoqën të na poshtërojnë me dhunë”, ka shkruar presidenti i Serbisë në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
Përballja në New York është e rregullt, megjithatë vjen një ditë pasi dështoi referendumi në pjesën veriore të Kosovës.
Dështimi i referendumit
Ka dështuar referendumi për largimin e kryetarëve nga 4 komunat në veri të vendit.
Shkak për këtë duket se është bërë thirrja e Listës Serbe, e cila e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, vendosi të bojkotojë gjithë procesin.
Kjo bëri që numri i votuesve të jetë minimal, e gjendja nëpër qendrat e votimit ishte si mos më keq.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi pas mbylljes së vendvotimeve, se largimi i kryetarëve ka dështuar.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, ka dhënë shifrat e sakta të votimeve komunë për komunë.
Në Zveçan nuk ka votuar asnjë person.
“Të 23 qendrat evotimit janë mbyllur në orën 19:00, sipas të dhënave që kemi pranuar në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre është si në vijim:
Leposaviq 124 votues
Zubin Potok 18 votues
Zveçan nuk ka votuar asnjë votues
Mitrovicën e Veriut 111 votues.
Nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar, pra nuk është arritur 50% plus 1 i domosdoshëm, prandaj konstatojmë se iniciativa e qytetare për largimin e kryetarëve ka dështuar“.
Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, ka pasur shumë reagime.