Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur mashtrim premtimin e kryeministrit Edi Rama për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Gjatë një konference për media, Berisha tha: “Shiko ku e ka mashtrimin, ai nuk thotë dot në vitin 2029, sepse e di që nuk do të ndodhë, e çon në vitin 2030 përtej mandatit që përpiqet të grabisë vetëm për të mashtruar shqiptarët.”
Ai theksoi se qeveria socialiste ka shpallur hapjen e negociatave që në vitin 2017, ndërkohë që ato u hapën vetëm pak muaj më parë.
“Unë kam deklaruar këtu para jush dhe para botës se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter, veç kriterit gjeostrategjik, e kam bërë me përgjegjësinë më të plotë dhe unë do t’ja faktoj kujtdo, edhe shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se kjo është një e vërtetë e pamohueshme“, tha Berisha.
Përsa i përket mbrojtjes së kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj, Berisha e quajti këtë një “narkoshtet” dhe tha: “A mund të imagjinoni që ai të japë porosi që të kërcënohet djali i këtij dhe atij? Ai vetëm për këto meriton një dënim suplementar shumë të fortë me udhëzimet që jep nga qelia.” Ai gjithashtu kritikoi përfshirjen e anëtarëve të tjerë të qeverisë në këtë proces, duke theksuar se kjo është e papajtueshme me funksionimin e një shteti normal.
Në lidhje me largimin e deputetit Dashnor Sula nga Partia Demokratike dhe kalimin e tij tek Partia e Adriatik Lapajt, Berisha tha: “Dashnor Sula është një eksponent i PD-së me investime reale në këtë parti dhe vendi i tij është në PD.” Ai e kritikoi atë për kalimin te Lapaj, duke e quajtur këtë një gabim, pasi ata janë “paterica të Edi Ramës,” duke shtuar: “Ata janë njëlloj. Ata janë paterica të Edi Ramës.”