Bashkimi Evropian ka lëshuar sot një komunikatë në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot.
BE-ja sërish i ka kërkuar Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, raporton Klankosova.tv.
“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave”, thuhet në komunikatën e BE-së.
“BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas BE-së, periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e serbëve të Kosovës.
Kjo është hera e dytë që BE-ja reagon lidhur me rregulloren e BQK-së. Të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se kjo rregullore do ketë ndikim direkt në jetët e përditshme të shumicës së komunitetit serb të Kosovës.
Reagime ka pasur edhe nga shtetet e Quint-it.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga vendimi. Në një konferencë për media ditën e djeshme (e mërkurë, 30 janar), zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Rregullorja e re e BQK-së, nuk fut monedhë të re në qarkullim, megjithatë, konfirmoi se ajo hyn në fuqi të enjten e 1 shkurtit, me tranzicion të lehtësuar, ashtu edhe siç është paraparë, transmeton klankosova.tv.
Ai tha më tej se implementimi i Rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe as dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës se një shteti tjetër.
“Rregullorja e BQK-së nuk flet për përdorimin ose jo të dinarit, apo ndonjë monedhe tjetër. Ajo flet për rregullimin e valutës. Sepse ne kemi monedhën më të fuqishme, Euron”, tha Bislimi.
Kujtojmë se të dielën ambasadat e vendeve të Quint-it i kanë bërë të njëjtën kërkesë Kosovës në lidhje me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës.