Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë. Forcat policore janë duke kryer bastisje në katër lokacione.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se bastisjet po kryhen me urdhër të saj.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, ka thënë zëdhënësja Arbnora Luta për KOHËN.
VIDEO:https://if-cdn.com/OOS7tov7?card=small&playerjs=1&consent=0&theme=light&import=0&v=1&app=1
Prokurori i rastit, Admir Shala, në një deklaratë për mediat nga AZHB-ja ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Ai ka thënë se aktualisht janë në fazën e hetimeve, ndërsa detajet do të bëhen të ditura më vonë. Siç ka thënë ai bastisje po kryhen në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë, Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës.

E Ministria e Bujqësisë, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se është në dispozicion të plotë të organeve të rendit.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fportalikohanet%2Fposts%2Fpfbid08qZBSYmnYuc5yp55rwSpLKBvpvLb9ACd9YAvCmQjacqzBL29N5LNaPGKda92MdR6l&show_text=true&width=500
Për këto bastisje ka folur ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka deklaruar se beson që ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë punë të jashtëzakonshme, derisa u shprehur se “ka plan për të dëmtuar Pecin dhe Qeverinë Kurti”.
“Jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme sa ka qenë dhe sa vazhdon të jetë. S’ka asgjë për të fshehur, s’ka pasur asnjë ndërhyrje nga Peci. Kemi pasur rastin të diskutojmë mbi këtë çështje, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur këtë plan për të dëmtuar ministrin Peci, për të dëmtuar Qeverinë Kurti. S’ka asgjë për të fshehur, s’ka asnjë ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që të ftohet nga institucionet”, u shpreh Haxhiu për media pas dështimit të seancës së 22-të për konstituim të Kuvendit.